IKSHPK me mesazh të çuditshëm, reagon edhe Shpend Ahmeti

1 Korrik, 2020 - 10:00 am

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë një postim aspak të pëlqyer nga ana e qytetarëve të cilët janë shprehur që përmes këtij statusi Instituti ka përhapur panik dhe frikë të qytetarët e që në fakt do të duhej ta bënin të kundërtën, shkruan KultPlus.

“Virusi vret!
Prindër! Vendosni maskën!
Unë jam fëmiu juaj!
Dua të rritem më prind!”, ky është statusi të cilin Instituti e ka shpërndarë në faqen e tyre zyrtare në Facebbok e për të cilin ka reaguar edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Sipas tij, mesazhi duhet të jetë i seriozitetit të virusit dhe duhet të jetë në mënyrë më profesionale e më pak të çuditshme.

Ky është reagimi i plotë i Ahmetit:

Përderisa pajtohem me qëllimin, mjeti, mënyra dhe përçuesi i porosisë lënë për të dëshiruar.

Instituti si fëmijë që kujdeset për prindin është analogji e gabuar.

Instituti është institucion shkencor që jep fakte shkencore dhe analizon situatën për politikbërësit. Jep siguri për qytetarët se situata është nën kontroll. Jep rekomandime shkencore – dhe vetëm shkencore.

Mesazhi duhet të jetë i seriozitetit të virusit. Këtu pajtohem plotësisht. Por ka mënyrë më profesionale dhe më pak të çuditshme se kjo.

Përndryshe përgëzime për punën e Institutit.

Po virusi vret, por është e lehtë të luftojnë nëse të gjithë marrim përgjegjësi si qytetarë. Këtë nuk e kemi bërë javët e fundit. Është koha të jemi serioz në këtë betejë të gjithë. Atëherë s’do të ketë nevojë për masa tjera restriktive. / KultPlus.com

Të ngjajshme