Ilir Meta takim me përfaqësi të shoqatës “Antipatrea”

1 Shkurt, 2021 - 9:01 pm

 Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim përfaqësi të shoqatës “Antipatrea”, me një kontribut të madh për përfshirjen e Beratit në UNESCO.

Meta shprehet së në takim, përfaqësuesit e shoqatës “Antipatrea”, më njohën me shqetësimet e drejta se, ky qytet me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, po dëmtohet nga papërgjegjshmëria, korrupsioni dhe projektet e nxituara urbane, të pakonsultuara me komunitetin dhe që e kanë detyruar këtë shoqatë të nderuar, t’i drejtohet UNESCO-s.

“Nga drejtuesi i “Antipatrea”-s, arkitekti i njohur beratas, Pavllo Shkarpa m’u ngrit shqetësimi mbi masakrën urbane, që po ndodh në Berat, me dëmtimin e shumë lagjeve karakteristike të qytetit. Tepër i vlefshëm edhe propozimi i tij për ndërtimin e një Pallati Sporti, për të rinjtë e rejat e këtij qyteti, që nuk kanë ende sot një qendër ku të ushtrojnë pasionet e tyre. Ndërsa inxhinieri i mirënjohur Xhevahir Ngjeqari, më bëri prezent faktin e mosmarrjes në konsideratë nga Qeveria dhe pushteti vendor të sistemimit të lumit Osum, mbështetur mbi vlerësimet e akademikëve më të shquar të vendit, si dhe të mungesës së investimeve për shumë projekte rrugore, me rëndësi strategjike. I mbajta shënim të gjitha shqetësimet dhe sugjerimet e të pranishmëve, si dhe i garantova se jo vetëm ata, por i gjithë komuniteti i dashur i Beratit, do të më ketë në krah, për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të këtij qyteti”, shprehet Meta.

Po ashtu, Meta tha se do të bëj çdo përpjekje, që në bashkëpunim me komunitetin dhe UNESCO-n, t’i japim me shumë dashuri Beratit shkëlqimin e merituar, për të moslejuar shpopullimin e tij dhe për t’i dhënë impulse të reja zhvillimi, si një qendër me potencial të jashtëzakonshëm për ekonominë dhe turizmin.

“Nga Mangalemi e Gorica dhe deri lart në kala, Berati i një mbi një dritareve, simbolizon një qendër të jashtëzakonshme të qytetërimit dhe civilizimit tonë, me një trashëgimi të pasur historike e kulturore, që duhet mbrojtur dhe promovuar më së miri”, shprehet ai./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme