IMG Models dhe Venera Mustafa organizojnë Open Model Casting në Prishtinë

12 Qershor, 2023 - 3:30 pm

Venera Mustafa dhe IMG Models organizojnë Open Model Casting për herë të parë në Kosovë për të gjetur fytyra të reja për përfaqësim global.

Më date 8 korrik, nga ora 10:30 deri në ora 18:30, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ‘Pjeter Bogdani’ në Prishtina do të mbahet ngjarja ku ftohen të marrin pjesë modele dhe modelë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe Mali i Zi.

Thirrja e hapur për casting organizohet nga agjentja amë dhe dizajnerja Venera Mustafa bashkë me agjencionin ndërkombëtar IMG Models.

IMG Models do ta vizitojë Kosovën për herë të parë për të zbuluar fytyra të reja nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Krahas Venera Mustafës dhe skautëve nga IMG Models, prezente në casting do të jetë edhe modelja nga Kosova Sihana Shalaj e cila është nën menaxhimin ndërkombëtar të IMG Models.

Që nga kontrata me IMG Models, Sihana ka korrur sukses të madh ndërkombëtar dhe ka sfiluar për shtëpitë më të mëdha të modës botërore përfshirë Prada, Miu Miu, Yves Saint Laurent, Versace, Balenciaga, Givenchy dhe Raf Simons mes shumë tjerash.

Suksesi i pakontestueshëm i Sihanës po e sjell IMG Models për herë të parë në rajon për të identifikuar fytyra të reja mashkullore dhe femërore për tu bërë pjesë e këtij agjencioni prestigjioz.

IMG Models është lider ndërkombëtar në identifikimin e talentëve dhe në menaxhimin e modeleve e njohur gjerësisht për portfolion e saj diverse të klientëve. Agjencioni ka zyra në gjashtë kryeqendra botërore: New York, Los Angeles, Londër, Paris, Milano dhe Sidnej. Në mesin e modeleve të menaxhuara nga IMG Models janë edhe Gigi dhe Bella Hadid, Ashley Graham, Hailey Bieber, Paloma Elsesser, Alton Mason, Precious Lee, dhe shumë të tjerë. / KultPlus.com

Të ngjajshme