Infermierja gjermane dyshohet se u dha njerëzve ujë me kripë në vend të vaksinës

11 Gusht, 2021 - 11:30 am

Autoritetet në pjesën veriore të Gjermanisë u kanë bërë thirrje mijëra personave që të marrin një dozë tjetër të vaksinës për Covid-19, pasi një hetim policor tregoi se një infermiere e Kryqit të Kuq mund t’u ketë dhënë ujë të kripur në vend të vaksinës së vërtetë.

Infermierja, identiteti i së cilës nuk u publikua, dyshohet se u ka dhënë ujë me kripë në vend të vaksinës njerëzve në qendrën e vaksinimit në Friesland në fillim të kësaj pranvere. Friesland-i është distrikt rural afër bregdetit të Detit Verior.

Ndonëse uji i kripur është i padëmshëm, shumica e njerëzve që janë vaksinuar për Covid-19 në Gjermani në muajt mars dhe prill, kur dyshohet se ndodhi ngjarja e pazakontë, janë të moshuar dhe në rrezik të lartë për t’u infektuar, shkruan The Guardian.

Hetuesi policor, Peter Beer, duke folur në një konferencë për gazetarë, tha se duke u bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, ekziston një dyshim i arsyeshëm për rrezik.

Nuk dihet se cili ka qenë motivi i infermieres së dyshuar, por ajo kishte shprehur qëndrime skeptike rreth vaksinave në rrjetet sociale, thanë hetuesit policorë.

Nuk është e qartë se a është arrestuar kjo infermiere, por transmetuesi NDR raportoi se rasti i është dorëzuar një njësie të posaçme, e cila merret me hetimin e krimeve të motivuara politikisht./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme