Inspektim në Urën e Kordhocës në Gjirokastër

10 Nëntor, 2022 - 9:57 pm

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, realizuan sot inspektimin në terren të “Urës së Kordhocës” në Gjirokastër, e cila ka statusin Monument Kulture i Kategorisë I.

Ky inspektim u zhvillua në kuadër të identifikimit të problematikave dhe parandalimit të dëmtimeve të mëtejshme.

IKTK theksoi se për këtë urë në vitin 2018 janë realizuar ndërhyrje restauruese, që konsistonin ndër të tjera edhe në përforcimin strukturor të bazamentit të 2 prej këmbëve të urës.

Në vijim të raportimeve të banorëve të zonës pas tharjes së ujërave të lumin Drino dhe daljen në pah të strukturave të këmbëve të Urës së Kordhocës, ku njëra nga këmbët e urës (në të cilën nuk është ndërhyrë në fazën e parë) është zbuluar deri në kuotën e bazamentit të pilotave prej druri, duke sjellë rrezik në qëndrueshmërinë e saj.

“Krahas me identifikimin e gjendjes aktuale të konservimit, patologjive dhe dokumentimit fotografik të realizuar, ka nisur procesi i hartimit të projektit të restaurimit mbi problematikën e shfaqur, me qëllim parashikimin e ndërhyrjeve në këtë fazë të dytë për këtë objekt pasuri kulturore”, tha IKTK.

Ura e Kordhocës, e ngritur mbi lumin Drino rreth 4 km në juglindje të Gjirokastrës, dallohet për madhësinë dhe finesën e realizimit teknik.

Kjo urë kryente funksionin lidhës midis qytetit dhe fshatrave rreth Suhës. Ura është e ndërtuar me gurë të zinj ndërsa mbushja e saj është me gurë gëlqerorë.

Harqet e mëdhenj janë ndërtuar me rreshta dyfish gurësh në të cilat ruhen ganxhat metalike për mbërthimin e gurëve ballorë të harkut. /atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme