Instituti Albanologjik shënoi 70-vjetorin e themelimit

19 Qershor, 2023 - 9:25 pm

Instituti Albanologjik i Prishtinës organizoi sot akademinë solemne në 70-vjetorin e themelimit. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.  Ai tha se ky institucion kaloi nëpër peripeci të ndryshme, njëjtë sikurse populli i Kosovës.

“Ndjehem i nderuar që marr pjesë  në këtë shënim. 70 vjetet e ndonjë institucioni shkencor ndoshta nuk duken shumë,  por ky institucion kaloi nëpër peripeci të ndryshme njëjtë sikurse një popull. Instituti paraqet Institutin e dritës”, tha ai.

Sipas tij, Instituti Albanologjik sot duhet të ruaj cilësinë e studimeve të mëhershme. Ai premtoi edhe përkrahje  për këtë institucion.   

“ E kaluar jonë, doket dhe zakonet nuk ishin të studiuara më parë. Ne shprehim mirënjohjen e thellë që ky Institut merret me shkencën, gjuhën dhe kulturën tonë. Instituti sot duhet të ruaj cilësinë e studimeve të mëhershme dhe të synojmë edhe më lartë. Duhet të synoi që të jetë në hap me kohën dhe nuk do të mungojë as përkrahja jonë. Jam i bindur që me punën që bëni do të ia dilni me këtë mision fisnik”, tha kryeministri Kurti.

Ndërsa drejtor i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, tha se gjatë këtyre viteve kishte sfida por edhe zhvillim të këtij Instituti.

“Niveli i shkencës është njëri ndër përparimet e një shtetit. Instituti ka zhvilluar 350 konferenca shkencore për çështje të rëndësishme. Në shënim të këtij përvjetori, kujtoj dhe falënderoj të gjithë albanologët që kanë dhënë dhe japin kontributin e tyre”,  u shpreh ai.

Kurse akademiku Rexhep Qosja, foli për kushtet dhe qëllimet e Institutit Albanologjik të rithemeluar më 1967.

“Ne jemi kujdesur për kushtet që na ofronte Instituti. Me rithemelimin e Institutit u hap rruga për bashkëpunim me studiues të ndryshëm me Shqipërinë”, u shpreh akademik Qosja.

Konferenca shkencore, “Albanologjia dje, sot dhe nesër” do të mbahet më 19, 20 dhe 21 qershor në objektin e Institutit Albanologjik në Prishtinë (IAP).

Instituti Albanologjik i Prishtinës është themeluar më 1 qershor 1953. Në fillim i kishte katër punonjës dhe një numër bashkëpunëtorësh të jashtëm. Pas një periudhe relativisht të shkurtër, me vendim të organeve shtetërore u mbyll (25 dhjetor 1955), për t’u rihapur  më 28 shkurt 1967. Puna në këtë institucion nuk u ndërpre as pas marrjes me dhunë të objektit më 8 mars 1994 nga organet e atëhershme pushtuese serbe./rtk/KultPlus.com

Të ngjajshme