23 Korrik, 2025 - 4:18 pm
Skandali që shpërtheu pas koncertit të Coldplay në Boston, ku ish-drejtori ekzekutiv i Astronomer, Andy Byron, u kap duke flirtuar me kolegen e tij Kristin Cabot në ekranin gjigant të stadiumit, mund të shkojë deri në gjykatë. Të paktën kështu thuhet nga burime ligjore, megjithëse shanset për sukses janë minimale.
Byron, i cili dha dorëheqje nga pozita e tij si CEO disa ditë pas incidentit viral, mund të përpiqet të padisë grupin Coldplay për shpifje, pasi këngëtari Chris Martin u shpreh gjatë koncertit:
“Ose janë në një lidhje, ose janë shumë të turpshëm.”
Sipas avokatit Camron Dowlatshahi nga MSD Lawyers, komenti i Martin mund të shihet si akuzë për lidhje jashtëmartesore, e cila mund të përbëjë shpifje nëse provohet e pavërtetë dhe e dëmshme për reputacionin.
Por këtu qëndron problemi:
“Që Byron ta fitojë këtë çështje, ai duhet të provojë se nuk kishte lidhje jashtëmartesore dhe se Martin e dinte këtë, por e tha me qëllim keqdashës. Asnjë nga këto nuk janë të provueshme,” tha Dowlatshahi për Page Six.
Sipas ekspertëve, as ligji i privatësisë në Massachusetts nuk e ndihmon Byron-in, pasi një koncert publik nuk ofron pritshmëri për privatësi, dhe blerja e biletës zakonisht përfshin miratimin për regjistrime apo transmetime.
Avokati Ray Seilie thekson se çdo padi ndaj Coldplay do të shërbente vetëm për të mbajtur gjallë lajmin:
“Padia nuk ka bazë ligjore dhe vetëm sa do të zgjaste ekspozimin mediatik të Byron.”
Ekspertët pajtohen se Coldplay nuk ka shkelur asnjë ligj, dhe komentet e Martin ishin më shumë shaka sesa deklarata faktike. Për më tepër, as Byron dhe as Cabot nuk i kanë mohuar akuzat për lidhje.
Në përfundim, ndonëse teorikisht një padi ndaj Coldplay është e mundur, ajo nuk ka gjasa të pranohet në gjykatë dhe mund të rezultojë në më shumë dëm publik sesa dobi për Byron-in./KultPlus.com