Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel nderohet me “Çmimin e Paqes” të UNESCO-s

23 Gusht, 2022 - 10:05 pm

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel u nderua sot me “Çmimin e Paqes 2022”, “në njohje të përpjekjeve të saj për të mirëpritur refugjatët”, sipas UNESCO-s, transmeton KultPlus.

Merkel mori çmimin, sipas Twitter dhe faqes së internetit të Organizatës së OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, për vendimin e saj “guximtar” për të mirëpritur më shumë se 1.2 milion emigrantë në 2015, veçanërisht ata nga Siria, Iraku, Afganistani dhe Eritrea.

Nderimi, i cili zyrtarisht quhet “Çmimi i Paqes Félix Houphouët-Boigny-UNESCO”, mban emrin e ish-presidentit të Bregut të Fildishtë.

Ai u jepet çdo vit që nga viti 1989 individëve, organizatave ose institucioneve që kanë bërë një përpjekje të veçantë për të promovuar, hulumtuar ose siguruar paqen.

Pas 16 vitesh në detyrë, Merkel u largua nga posti i saj si kryetare e shtetit të Gjermanisë në vitin 2021. Kriza e refugjatëve dominoi mandatin e saj të tretë më shumë se çdo çështje tjetër, duke marrë mbështetje nga disa ndërsa ka tërhequr kritika nga të tjerët dhe efektet e saj mund të ndihen ende sot.

Një valë refugjatësh u afrua në kufijtë e Evropës në vitin 2015 si rezultat i luftërave në Lindjen e Mesme, kryesisht në Siri, Afganistan dhe Irak. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme