Ishulli artificial që po e shqetëson Danimarkën

10 Qershor, 2021 - 9:20 am

Në datën 4 qershor, Parlamenti i Danimarkës miratoi ndërtimin e ishullit artificial Lynetteholm.

Sipas llogarive, projekti do të finalizohet në vitin 2070 dhe do të kushtojë rreth 3 miliardë euro. Ky ishull do të ndërtohet në zonën e vjetër industriale të Portit të Kopenhagenit dhe do të ketë një sipërfaqe prej 2,8 km katrorë.

Qëllimi i tij kryesor do të jetë mbrojtja e kryeqytetit danez nga përmbytjet e mundshme, duke parë që niveli i detit po pëson rritje.

Ishulli do të ketë rreth 20 000 banesa, ku do të jetojnë rreth 35 000 persona. Punimet mund të nisin që këtë vjeshtë.

Por, ky projekt ka shkaktuar shumë polemika mes qytetarëve të Kopenhagenit dhe nga ambientalistët, të cilët thonë se ishulli do të rrisë tej mase ndotjen në zonë. Për këtë, ata kanë vendosur që ishullin ta dërgojnë si çështje në Gjykatën e së Drejtës Ndërkombëtare në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, punimet për ishullin do të pengohen nëse Suedia do të ketë ankesa pasi të sqarohen kushtet në të cilat do të zhvillohen ato. Këtë gjë e konfirmoi edhe ministri i Transporteve të Danimarkës, Benny Engelbrecht. / Gazeta Express / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme