28 Korrik, 2025 - 3:48 pm
Këtë javë nis zyrtarisht edicioni i pestë i Porto Palermo Festival.
Ky festival, me skenën më të veçantë nga cilido tjetër, zhvillohet në kalanë mesjetare të Ali Pashës, në Porto Palermo. Festivali është një udhëtim artistik në zemër të natyrës dhe historisë, por synon të tërheqë vëmendjen e publikut jo vetëm për këto, por edhe për mbrojtjen mjedisore.
Ditën e enjte, 31 korrik, do të nisë festivali i cili zgjat deri më 17 gusht, por përpara se të nisin me muzikë, organizatorët zhvilluan një aksion pastrimi të territorit.
Festivali synon që jo vetëm të sjellë artistët më të mirë, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri. Kalaja historike e Ali Pashës do të mbushet me muzikë, emocion dhe energji pozitive për 12 netë të paharrueshme gjatë të cilave do të interpretojnë artistë të jashtëzakonshëm me emocione të forta në një skenë unike.
Natën e çeljes do të performojë vetë ideatori i këtij festivali, violinisti Olen Cesari. Në datën 1 gusht është i ftuar Ansambli Folklorik Shqiptar, ndërsa një natë më pas (2 gusht) interpretojnë Ledina Çelo, Genc Tukiçi, Dëshira Ahmeti, Anamaria Beqaj.
Mbrëmja e së dielës (3 gusht) do të jetë nën magjinë e këngëve të Dren Abazit. Të enjten e 7 gushtit do të performojë e mirënjohura Aurela Gaçe, një natë më pas Adrian Trebicka dhe Kastriot Tusha. Ndërsa më 9 gusht, Carlo Paz dhe Sin Fronteras.
Këngëtari Alberto Laurenti do të performojë të dielën e 10 gushtit, ndërsa në netët finale do të performojnë disa prej artisteve që janë bërë pjesë e pandarë e këtij festivali si Marsela Çibukaj, Eda Zari etj./atsh/