1 Gusht, 2025 - 4:50 pm
Prishtina sot kthehet në kryeqendrën e muzikës me nisjen zyrtare të edicionit të radhës të Sunny Hill Festival. Mijëra vizitorë pritet të mbushin hapësirat e Bërnicës, ku ylli botëror Dua Lipa do të rikthehet në skenën e vendlindjes për një performancë që pritet të kulmojë natën.
Në paralel, në skenën “C4”, legjenda e muzikës elektronike Fatboy Slim do të sjellë një set të fuqishëm që premton energji të pakufishme deri në orët e para të mëngjesit, shkruan KultPlus.
Festivalit do t’i hapet rruga nga ora 14:00 me DJ-të lokalë Zwada dhe Sahati në skenën “the NEXT”, ndërsa pjesa tjetër e mbrëmjes do të vijojë me emra të njohur si Deezy, Art Lokaj & TNM, Kida, Sienna Spiro, Cil, Edis dhe Tayna.
Kulmi i natës do të jetë performanca e shumëpritur e Dua Lipës, e cila do të ngjitet në skenën kryesore rreth orës 22:00.
Pas mesnate, festa zhvendoset në “C4 Stage”, ku Skream, Bookie, Edgar Kerri dhe vetë Fatboy Slim do të mbajnë publikun zgjuar deri në orën 05:00.
Sunny Hill rikthen emocionin, ritmin dhe atmosferën unike që e ka bërë një nga festivalet më të rëndësishme në rajon, duke konfirmuar edhe njëherë se vera në Prishtinë nuk ka kuptim pa të./KultPlus.com