Jani Vreto, figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare

9 Korrik, 2025 - 11:39 am

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot Jani Vreton, rilindasin e shquar shqiptar, një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, i cili u nda nga jeta më 9 korrik të vitit 1900 në Athinë.

Si shkrimtar dhe botues, ai dha një kontribut të çmuar në gjallërimin e ndërgjegjes kombëtare dhe përhapjen e kulturës shqiptare. Nga viti 1843 deri në vitin 1847 ndoqi gjimnazin e njohur “Zosimea” në Janinë. Në fillimin e viteve ‘70 ishte njohur me figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare si: Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ferid Pashë Vlora. Gjithashtu, mbante letërkëmbim me figura të shquara shqiptare në Egjipt si Thimi Mitko, Spiro Dine dhe Thimi Thoma Kreji, por edhe me Dhimitër Kamardën dhe Jeronim De Radën në Itali. Në vjeshtën e vitit 1877 u bë anëtar e themelues i Komitetit qëndror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare.

Në maj të vitit 1878, botoi veprën “Apologjia” në greqisht, në të cilën shtjellon dhe trajton prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara si dhe të drejtat e tyre. Më 12 tetor 1879 mori pjesë në themelimin e “Shoqëri e të shtypurit shkronja shqip”, e cila do t’ia kushtonte energjitë e veta botimit të librave shqip, sidomos të teksteve shkollore, si dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Pas kthimit në Stamboll, punoi për botimin e organit periodik “Drita”, e cila më pas mori emrin “Dituria”. Periodiku do të dilte në Kostandinopojë nga gushti 1884, deri në korrik të vitit 1885./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme