31 Maj, 2025 - 4:20 pm
Nga data 17 deri më 31 maj, në Shqipëri po zhvillohet edicioni i radhës i Javëve Kulturore të Evropës, një festë gjithëpërfshirëse e artit dhe kulturës që shtrihet në nëntë qytete: Tiranë, Kamzë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë, Berat dhe Pilur (Himarë).
Mbrëmjen e djeshme, në fshatin Pilur të Himarës u organizua aktiviteti “Vëndçe”, i cili u rikthye atje ku gjithçka nisi, mes zërave që mbajnë gjallë një trashëgimi të rrallë.
Sipas njoftimit të Bashkimit Evropian, në këtë mbrëmje të bukur ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato u shfaq dokumetari i Lorin Terezit, ndërsa u zhvilluan edhe biseda, këngë polifonike, që përcollën lidhjen e fortë mes zërit, vendit dhe identitetit kulturor shqiptar.
Me një program të pasur prej mbi 45 aktivitetesh, kjo javë ofron një platformë për bashkëpunim ndërkombëtar, reflektim publik dhe shprehje artistike.
Programi përfshin gjithashtu biseda me artistë, forume për dialog dhe reflektim mbi rolin e artit në shoqëri duke shndërruar qytetet shqiptare në skena të hapura të mendimit kritik dhe krijimtarisë kolektive.
Java e Evropës 2025 është një hapësirë bashkëpunimi ku kultura vepron si urë mes qytetarëve, komuniteteve dhe vlerave evropiane. Kjo iniciativë nuk synon të përshkruajë Evropën, por t’i japë zë atyre që e jetojnë dhe e ripërfytyrojnë atë, përmes gjuhës së përbashkët të artit.
Pas Javës Kulturore të Evropës, Javët Kulturore Ndërkombëtare, nismë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit vijojnë me Italinë, për t’u pasuar nga Izraeli, Suedia, Franca etj./atsh/KultPlus.com