‘Java e Italisë’ sjell 54 evente kulturore, artistike e sociale në Shqipëri

31 Maj, 2022 - 3:25 pm

Një galeri fantastike e përbërë nga 20 harqe Luminarie tradicionale Puljeze do të ndriçojë sot në mesnatë qiellin e Tiranës.

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje këtë event, i cili organizohet në kuadër të aktiviteteve për “Javën e Italisë”.

“‘Java e Italisë’, e cila ka nisur sot e vazhdon me ndezjen e dritave artistike në mesnatë në pedonalen e Kalasë së Tiranës, për të vijuar 7 ditë me radhë, me 54 evente kulturore, artistike, sociale, është kulmi i bukur i programit tonë të ri “Javët Ndërkombëtare të Kulturës”, të cilin uroj ta shijoni me familjet e fëmijët tuaj, në Shkodër, Gjirokastër, Vlorë e natyrisht Tiranë”, tha Rama.

Luminaret Artistike, një shprehje e kreativitetit puljez dhe mjeshtërisë italiane do të jenë protagoniste të Javës së Kulturës Italiane në Shqipëri.

Në Pedonalen e Tiranës do të organizohet sot në orën 23:59, një ceremoni për ndezjen e  dritave që do t’i japin atmosferë dhe ngjyra kryeqytetit shqiptar.

Nga 31 maji deri në 7 qershor, në disa qytete të Shqipërisë, do të zhvillohet Java Kulturore e Italisë.

Kjo javë zhvillohet në kuadër të “Javëve Ndërkombëtare të Kulturës”, nismë e qeverisë shqiptare me moton “Shqipëria mikpret botën”, ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës, si dhe vende të Bashkimit Evropian.

Java Kulturore e Italisë vjen pas javëve kulturore të Francës, SHBA dhe Greqisë, të organizuara në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme