28 Maj, 2025 - 1:52 pm
Kryeqyteti po bëhet gati të mikpresë Javën Kulturore Italiane e cila nis në datën 1 dhe mbyllet më 8 qershor.
Organizatorët premtojnë një javë plot muzikë, art, shije dhe kulturë italiane. Në të gjitha aktivitetet do të jetë hyrja e lirë për artdashësit të cilëve do u ofrohet muzikë klasike, koncerte, shfaqje teatrore, filma dhe aktivitete të tjera në sheshe.
Nga 1 deri në 8 qershor do të jetë një javë që bashkon Italinë dhe Shqipërinë me tradita të mrekullueshme.
Java e Kulturës Italiane do të nisë me një koncert në Kishën Katolike tek Rruga e Kavajës, nga Orkestra Rinore e Magna Grecia, që vjen nga rajoni i Puglia-s.
Diçka e veçantë do të jetë aktiviteti Fashion Chat me stilistë të rinj, që do të zhvillohet datën 2 qershor në COIN, ndërkohë që koncerti i muzikës klasike zhvendoset në hapësirën e Amfiteatrit të Durrësit. Gjithashtu dhe Vlora do të gjallërohet nga koncerti i grupit italian “Neri per caso”, të cilët do të festojnë 30-vjetorin e fitores së tyre në Sanremo.
Tek Piramida në Tiranë do të nisë një cikël diskutimesh mbi arkitekturën, ndërkohë që mbrëmjen e 4 qershorit banorët dhe turistët e Beratit mund të shijojnë një koncert jazz-i nga “Aperitivo Italiano”.
Një tjetër qytet i përfshirë në kalendarin e Javës Kulturore Italiane do të jetë Gjirokastra, ku do të vihet në skenën teatrore një produksion i përbashkët, titulluar “Onora tuo padre”, gjithashtu do të ketë edhe një projeksion filmi mbi këngëtaren Mia Martini./ KultPlus.com