Java Globale e Veprimit për Sigurinë Rrugore

21 Maj, 2025 - 4:31 pm

Java Globale e Veprimit për Sigurinë Rrugore, e cila zhvillohet nga data 21 deri më 27 maj, është një nismë ndërkombëtare e organizuar nga OKB dhe OBSH, që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të ulë numrin e aksidenteve dhe fataliteteve në rrugë.

Kjo javë shërben si një platformë për komunitetet, qeveritë dhe organizatat që të bashkëpunojnë për rrugë më të sigurta. Në një intervistë për RTSH-në, specialistja e DPSHTRR-së, Ina Habilaj, theksoi rëndësinë e edukimit dhe veprimit të përbashkët për sigurinë rrugore.

Kjo javë do të jetë e mbushur me aktivitet lidhur me ndërgjegjësimin e sigurisë rrugore, ku sipas specialistes Habilaj fokusi fillon që nga fëmijët e vegjël deri tek të rinjtë dhe bashkëpunimet ndërinstitucionale.

Lidhur me aksidentet që ndodhin në vendin tonë, Habilaj tha se kjo ndodh më së shumti për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe mosrespektimi i rregullave nga qytetarët. Habilaj u shpreh se DPSHTRR në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ka ndërmarrë projekte sensibilizuese në shkolla, ku nxënësit mësojnë rregullat bazë të qarkullimit në mënyrë argëtuese.

Aktivitetet gjatë kësaj jave do të jenë të shumta dhe me grupmosha të ndryshme fëmijësh në formë argëtuese por edhe që të mësojnë rregullat bazë. Aktivitete do të ketë edhe me grupe të rinjsh apo institucione të ndryshme me fokus në zbatimin e ligjit të sigurisë rrugore./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme