12 Maj, 2025 - 11:54 am
Nga data 17 deri më 31 maj, Java Kulturore e Evropës 2025 do të sjellë mbi 30 aktivitete kulturore në 9 qytete të Shqipërisë.
Programi i këtij viti është krijuar së bashku me 11 artistë dhe grupe artistësh që eksplorojnë identitetin, lirinë, kujtesën, dashurinë, pasigurinë dhe përkatësinë përmes teatrit, muzikës, filmit, dansit, ekspozitave dhe artit bashkëkohor.
Më shumë se një festë, këtë vit Java e Evropës 2025 është një hapësirë për krijim.
Përmes një game të pasur dhe të larmishme disiplinash artistike, temash dhe vendndodhjesh, Java e Evropës 2025 shfaq fuqinë transformuese të kulturës në shoqëri. Programi synon të frymëzojë kreativitetin, të promovojë diversitetin, të nxisë dialogun, të nxisë progresin, si dhe të inkurajojë reflektimin dhe të menduarit kritik.
Pas një thirrjeje të hapur që tërhoqi mbi 200 aplikime, në edicionin e këtij viti janë përzgjedhur për të marrë pjesë 11 artistë dhe grupe artistike. Projektet e përzgjedhura përfshijnë:
Grupi ATA, Elsa Demo, Klodian Gjonpalaj – Kanga eme – Teatër
BERK – Shoqëria Post-Gjuhësore – Teatër
Blerta Kambo – Dashuria është e njëjtë – Arte pamore
Ema Andrea, Aida Talliente, Elvira Boncuore – Gjuha mëmë – Teatër
Ansambli Musica Nova, Harlen Nikolli, Mikaela Minga – Dialogë në tinguj – Koncert
Lorin Terezi – Vëndçe – Dokumentar ndërdisiplinor
Mardit B. Lleshi –Rrethi i Tingujve – Koncert
Olsi Hoxha –Pikënisje të paqarta – Ekspozitë vizuale
Redina Qose – Kah shkojnë dallëndyshet? – Ekspozitë
Rona Nishliu, Gent Rushi – JALBOZ – Koncert
was bleibt kollektiv | Gentian Doda – Mes hapave dhe hijeve – Dans bashkëkohor
Këto vepra do të prezantohen në Tiranë, Kamëz, Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan, Vlorë, Pilur (Himarë) dhe Berat, duke krijuar një hartë kulturore që fton për angazhim dhe reflektim publik.
Përveç shfaqjeve dhe ekspozitave, Java e Evropës do të presë gjithashtu sesione bisedash mbi artin dhe biseda me artistë, duke ofruar një platformë për dialog dhe shkëmbim mbi muzikën, filmin, teatrin dhe artet performuese. Këto biseda do të eksplorojnë rolin e kulturës në formësimin e së tashmes dhe përfytyrimin e një të ardhmeje më të mirë./KultPlus.com