Java kulturore egjiptiane, memorandum mes Operës së Kajros dhe të Tiranës

19 Shtator, 2022 - 3:46 pm

Në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, në Tiranë, nisi sot java e kulturës egjiptiane, aktivitetet e së cilës do të zgjasin deri në 25 shtator. Java egjiptiane ka një program të pasur. Ajo u çel me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes Operës së Tiranës dhe asaj të Kajros. Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, në mjediset e TKOBAP, ishin të pranishme ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe homologia e saj egjiptiane, Nevine Al-Kilani.

Ministrja e Egjiptit shprehu kënaqësinë të vizitonte Shqipërinë, të cilën ajo e vlerësoi si një vend shumë të veçantë mes Lindjes dhe Perëndimit, që ka arritur të ruajë kulturën dhe traditat. Ajo shprehu gatishmërinë për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona në fushën e kulturës, jo vetëm në muzikë, opera e balet, por edhe në muzeologji, arte pamore dhe në edukimin e të rinjve.

“Fryt i bashkëpunimit midis dy vendeve është edhe koncerti gala me pjesëmarrjen e sopranos egjiptiane Amira Selim”, u shpreh ministrja Kilani.

“Egjipti i kulturës së jashtëzakonshme vjen me një kalendar që nis me një koncert të Orkestrës së Operës së Kajros dhe të Teatrit të Operës dhe Baletit, si një kurorëzim i memorandumit të bashkëpunimit mes dy teatrove tona të operës, për të vijuar me një ekspozitë të rrallë, të organizuar po në këto ambiente nga Biblioteka Kombëtare, që na zbulon Egjiptin përmes imazheve”, tha ministrja Margariti.

“Description de l’Egypte” është një ekspozitë e disa librave origjinalë, monumentalë, shkruar nga një mori studiuesish, në traditën e udhëtimeve kërkimore shkencore të shekullit XVIII dhe botuar me urdhër të Napoleon Bonapartit. Ky koleksion i përket thesarit të jashtëzakonshëm dhe të paekspozuar më parë të Bibliotekës Kombëtare.

Për të mos u humbur është edhe koncerti me muzikë folklorike egjiptiane, në Sheshin “Skënderbej”, një performancë unike e Grupit Folklorik Egjiptian. Eventet e javës kulturore egjiptiane do të ndahen mes Tiranës dhe qytetit të Gjirokastrës.

“Besoj se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të ri, që do të zgjerohet edhe në fusha të tjera jo vetëm në opera dhe balet, por edhe në arte pamore, teatër etj”, tha Margariti.

Edhe kryeministri Edi Rama ka promovuar javën kulturore egjiptiane, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku kujtoi se pas mbrëmjes gala të muzikantëve të orkestrës së Operas së Kajros dhe Operas dhe Baletit të Tiranës, eventet do të vijojnë me një larmishmëri aktivitetesh të tjera si kinematografi, ekspozita, muzikë, filma, letërsi dhe kulinari.

Gjithsej janë 17, javët kulturore të planifikuara deri në muajin nëntor. Javët Kulturore Ndërkombëtare të cilat nisën me Francën e do të mbyllen me Kosovën, do t’i sjellin kryeqytetit por edhe disa qyteteve të tjera, larmi kulturash dhe gjallëri jetës artistike. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme