14 Qershor, 2025 - 3:45 pm
Kultura franceze nga data 14 qershor do të gjallërojë edhe më shumë qytetin e Korçës me edicionin e dedikuar të Javës Kulturore Franceze.
Kështu, Java Kulturore Franceze këtë vit vjen me një edicion të veçantë në Korçë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja njoftoi se nga 14 deri më 24 qershor, qyteti kthehet në një skenë artistiko – kulturore me DJ dhe performanca muzikore, ekspozita arti, shfaqje baleti dhe koreografi bashkëkohore, si dhe shije të rafinuara të kuzhinës franceze që do të sjellin Francën më afër se kurrë.
“Me një trashëgimi të pasur kulturore dhe ndikim të madh global, Java Kulturore Franceze prezantohet përmes një programi të larmishëm që ndërthur traditën me bashkëkohoren dhe inovacionin”, shkroi Gonxhja në rrjetet sociale.
Pas një udhëtimi të jashtëzakonshëm përmes tre edicionesh që sollën art, energji dhe emocion në mbarë Shqipërinë, Javët Kulturore Ndërkombëtare u rikthyen në sezonin e katërt, që premton një tjetër kapitull të veçantë në historinë e dialogut ndërkulturor./ KultPlus.com