Java Kulturore Italiane, shfaqja ‘Faust’ në skenën e ArtTurbina

8 Qershor, 2025 - 4:17 pm

Shqipëria po mirëpret Javën Kulturore Italiane nga data 1 deri më 8 qershor. 17 aktivitete në një javë në qytete të ndryshme të vendit, po sjellin në qendër të vëmendjes artin, muzikën, teatrin, modën dhe dizajnin italian, duke përforcuar lidhjet e ngushta kulturore dhe historike mes dy vendeve.

Shfaqja “Faust” nga Davide Iodice u ngjit në skenën e ArtTurbina mbrëmjen e djeshme, si një interpretim modern i kryeveprës së Gëtes, një udhëtim shpirtëror mes tundimit dhe përjetësisë, i ndërtuar me ndjeshmëri nga një kast shqiptarësh dhe muzika magjepsëse e Lino Cannavacciuolo.

Protagonisti i “Faust” personifikon njeriun modern i gatshëm të shesë shpirtin për një çast përjetësie.

Fausti është rimishërimi i njeriut modern, për të cilin Djalli nuk përfaqëson më tundimin apo mëkatin, por vetëm të keqen e pranishme në jetë. Përmes shtatë mëkateve vdekjeprurëse dhe, mbi të gjitha, përmes takimit dhe dashurisë për Margaritën, Fausti do të jetojë mundimet e tij dhe vuajtjet e njeriut modern, duke mishëruar simbolin dhe, në të njëjtën kohë, sakrificën ekzemplare të luftës së vazhdueshme e të pafundme mes të mirës dhe të keqes.

Në role të “Faust” janë aktorët Hervin Çuli, Ema Andrea, Niada Saliasi, Gert Ferra, Indrit Çobani, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Ina Gjonçi, Krist Lleshi dhe Genti Deçka.

Kjo shfaqje teatrore është prodhim i Teatrit Kombëtar në bashkëpunim me Sardegna Teatro dhe me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme