Jean Paul Sartre: Kush është intelektuali?

19 Nëntor, 2019 - 8:36 pm

Shkruan: Qendrim Badalli

Filozofi francez, Zhan Pol Satëri, i cili konsiderohet si një ndër përfaqësuesit më eminent të Ekzistencializmit si rrymë filozofike, në librin e tij “Situatat”, një pjesë të mirë të mendimit të tij të artikuluar aty ia dedikon intelektualit, situatës, funksionit si dhe rolit të tij.

Marrë parasysh ndikimit të intelektualëve në jetën shoqërore përgjatë historisë dhe në ditët e sotme, kontributi filozofik i Zhan Pol Sartërit në definimin e intelektualit në esencen dhe ekzistencen e tij është i rëndësishëm, sepse hedh dritë mbi një kategori komplekse shoqërore mbi të cilën peshojnë përgjegjësi të mëdha për proceset e ndryshme në shoqëri. Përpjekjet për definimin e intelektualit nga filozofi francez fillojnë me një ndarje le ta quajmë <kategorike>mes profesionistëve, të cilët Sartëri i quan teknik të dijes praktike dhe intelektualëve të cilët janë <teknik plus>. Argumenti kryesor në definimin ekzistencial, pra të asaj se cfarë është një intelektual, në përpjekjet për ndarjen e intelektualit nga një teknik i dijes praktike është ky; Çdo intelektual është domosdoshmërisht edhe teknik i dijes praktike, por jo edhe çdo teknik i dijes praktike është domosdoshmërisht edhe intelektual.

Tekniku i dijes praktike është produkt i sistemit dominues i cili ndikon në lindjen e një kundërthënie brenda tij; Ai nga sistemit i edukimit merr universalen teknike dhe ideologjinë sunduese, e cila rëndom është partikulare. Në këtë mes, mes angazhimit për universalen apo partikularen, është hapi i madh i kalimit nga profesionisti në intelektual.

Sartëri thotë: “Me një fjalë çdo teknik i dijes është intelektual ngase është i përkufizuar me një kundërthënie e cila shfaqet si luftë e vazhdushme brenda tij midis teknikës universialiste dhe ideologjisë sunduese”. Tutje, tekniku i dijes praktike, një mësues, një mjek, një avokat, një ekonomist, një filozof, kalon në një intelektual jo vetëm përmes angazhimit për universalen por edhe përmes lirisë, të vërtetës, pozicionimit dhe publikes. Këto janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet dhe qëndron një intelektual. Në cfarë kuptimi janë përdorur liria e vërteta, pozicionimi dhe publikja?

Lirisë në kuptimin e pavarësisë së plotë në mendim dhe shprehje të tij, liria në kuptimin e përdorur është <liria nga> që nënkupton të qenurit i pavarur nga pushtetet në shoqëri si dhe nga masat po ashtu, pavarësisht se është në shërbim të klasave të shtypura dhe të shfrytëzuara të cilët i bashkon qëllimi i njejtë: Krijimi i një kulture universale.

E vërteta praktike do të thotë angazhimi sa më i madh dhe objektiv për të vënë në pah kundëthëniet në shoqëri si dhe shmangie nga armiku më direkt i intelektualit që nuk është klasa sunduese por intelektual i rremë- produkt i të parit. “Armiku më i drejtpërdrejtë i intelektualit është ai që do ta quaja intelektual i rremë, e të cilin Nizani e quante qen rojë, i nxitur nga klasat sunduese për të mbrojtur ideologjinë partikulariste me argumente që pretendojnë të jenë rigoroze, do të thotë që paraqiten si prodhime të metodave ekzakte”. Satëri nuk e pranon qëndrimin neutral si qëndrim të një intelektualit, përveç atij të rremë, dhe këtë e konstaton në analizën e diskursit të tyre. “Me fjalë të tjera intelektualit i rremë nuk thotë <jo> si intelektuali i vërtetë; ai e kultivon atë <jo, por> apo < e di mirë, por megjithatë..>” Për ekzistencialistin francez, arsyeja pse ndonjëherë intelektualët vendosin të paraqiten si revolucionar në shoqëri është pikërisht ekzistenca e intelektualëve të rremë, të cilët zakonisht janë promovues të <reformimit> pra të <status quos> të klasave sunduese, teknikë kjo që mundëson hipokrizi në angazhim.

“Radikalizmi intelektual çdoherë shtyhet përpara në saje të argumenteve dhe të qëndrimit të intelektualëve të rremë: në dialogun midis të rremë e dhe të vërtetëve, argumentet reformiste dhe rezultatet reale (status quoja) i shpien domosdo intelektualët e vërtetë që të bëhen revolucionar sepse ata e kuptojnë se reformizmi është vetëm një ligjeratë e cila ka përparësi të dyfishtë që t’i shërbejë klasës sunduese duke ua bërë të mundshme teknikëve të dijes praktike që në dukje të marrin njëfarë distance ndaj punëdhënësve të tyre, do të thotë ndaj vetë kësaj klase”.

Pozicionimi është leva tjetër mbi të cilin qëndron intelektuali i vërtetë, ai asnjëherë nuk i takon klasës sundues, ideologjisë partikulariste, por gjithmonë është në shërbim të klasave të shtypura dhe të shfrytëzuara pasi vetëm nga këndvështrimi i tyre shikohen qartësisht kundërthëniet, pabarazia dhe strukturimi i shoqërisë. “S’ka rëndësi: sa kohë që mund të shkruajë dhe të flasë ai mbetet mbrojtës i klasave popullore kundër hegjemonisë së klasave sunduese dhe kundër oportunizmit të aparatit popullor”.

Intelektuali është publikja në kuptimin e angazhimit në atë që shoqëria sipas Sartërit e quan intelektualin si <dikush që përzihet në punët që nuk i përkasin> përderisa angazhimi i tij per <universalen në publike>është sakrificë e dyfishtë: Së pari, teknikut i dijes praktike e vendos universalen teknike para ideologjisë sunduese duke u bërë intelektual, që të dyja këto të mësuara në atë që Gellner e quan “Gjenetik Shoqërore”, pra në sistemin modern të arsimit dhe së dyti, ai pozicionohet në anën e të shfrytëzuarve dhe të shtypurve pavarësisht se si teknik i dijes praktike i takon klasës së mesme. Për ta përfunduar, Satëri mendon se intelektuali është prodhim historik dhe si i tillë gëzon një pafajësi në raport me shoqërinë sa i takon përgjegjësisë, rolit dhe angazhimit të tij. “

Prodhimi i shoqërive të përçara, intelektuali dëshmon për to sepse e ka përbrendësuar përçarjen e tyre. Ai është pra një prodhim historik. Në këtë kuptim, asnjë shoqëri nuk mund të ankohet ndaj intelektualëve të vet pa e akuzuar veten sepse nuk ka intelektualë të tjetë veç atyre që i ka krijuar vetë”. Virtual Sophist / KultPlus.com

Të ngjajshme