Jean Smart nënshkruan krahun e një fanseje si Deborah Vance dhe ajo e kthen në tatuazh

29 Korrik, 2025 - 8:20 pm

Jean Smart kishte shkrimin e duhur kur bëhej fjalë për kërkesën unike të një fanseje për tatuazh.

Një video e publikuar në Instagram tregoi yllin e serialit “Hacks” duke përshëndetur fansat jashtë teatrit ku po luan në shfaqjen e saj në Broadway, “Call Me Izzy”. Një fanse iu afrua asaj me një kërkesë të pazakontë, të nënshkruante krahun e saj me emrin Deborah Vance. Vance, natyrisht, është personazhi karizmatik dhe i drejtpërdrejtë i Smart në serialin komedik të HBO, “Hacks”.

Smart u duk e habitur kur fansja i tregoi se kishte ndër mend ta kthente nënshkrimin në tatuazh.

“Do të bësh çfarë?” – e pyet ajo e hutuar. “E ke seriozisht?”

Fansja e siguroi se po, ishte krejtësisht serioze, ndërsa Smart u shqetësua se mos e bënte gabim nënshkrimin.

“Deborah Vance nuk gabon,” dëgjohet fansja t’i thotë në video.

Aktorja fituese e çmimeve Emmy e pa me një vështrim dhe e pranoi me humor: “Kjo është e vërtetë. Faleminderit që ma kujtove.”

Smart, e cila deri atëherë ishte ulur, u ngrit dhe me një dozë nervozizmi shkroi nënshkrimin në krahun e fanses. Videoja e postuar në rrjetet sociale përfshinte edhe një fotografi të tatuazhit të përfunduar me firmën e Deborah Vance.

Vitin e kaluar, Jean Smart fitoi Emmy-n e saj të tretë për portretizimin e legjendës së stand-up-it nga Las Vegasi në komedinë popullore të HBO-së, dhe këtë shtator është sërish e nominuar për të njëjtin çmim./CNN/KultPlus.com

Të ngjajshme