Jelica Miniq: Serbia tashmë ka hyrë thellë në ujëra të rrezikshëm

21 Nëntor, 2021 - 6:30 pm

Reagimi mjaft i mprehtë i dy raportuesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Serbinë, Pierre Fassin dhe Ian Lidel-Granger, tregon se ata janë të “tmerruar” nga ajo që po ndodh rreth muralit të Ratko Mlladiqit në qendër të Beogradit. “Një shoqëri demokratike nuk mund të jetojë në një mohim të krimeve të luftës dhe në një kulturë të urrejtjes dhe mosndëshkimit. Prandaj, ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të tregojnë gatishmërinë e tyre për të luftuar me vendosmëri kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe të fshijnë pa vonesë muralet që lavdërojnë kriminelët e luftës”, thuhet në mesazh.

Jelica Miniq, kryetare e Lëvizjes Evropiane në Serbi u bëri thirrje autoriteteve serbe që ta heqin muralin në Beograd me imazhin e kriminelit Ratko Mlladiq dhe të ndërmarrin “veprime të forta” kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës, raporton gazeta serbe Danas.

Miniq vëren se ky është vetëm një nga një sërë mesazhesh që “arritën me këtë rast nga adresat që ne pretendojmë se janë të rëndësishme për ne”.

“Tashmë më 11 nëntor, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Ana Pisonero, theksoi se qëndrimi i BE-së është i prerë dhe i qartë. Ajo tha se një vend që aspiron anëtarësimin në BE pritet të përafrohet me vlerat thelbësore të BE-së – sundimin e ligjit, demokracinë dhe drejtësinë. Kjo sigurisht nuk përfshin glorifikimin e kriminelëve të luftës, mohimin e krimeve të luftës dhe mungesën e vullnetit për t’u pajtuar, gjë që u shfaq në rastin e muralit. Më pas, kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuel Ziofre, foli më 12 nëntor, në një bisedë me ministrin e Brenshëm, Aleksandar Vulin, duke përsëritur se BE-ja ka qëndrim të qartë dhe të vendosur për tejkalimin e të kaluarës dhe mosglorifikim e kriminelëve të luftës”, tha ajo.

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane në Serbi rikujton se ambasada amerikane tha se nuk shohin asgjë të ndershme në mbajtjen e muralit të një krimineli lufte dhe se “shpresojnë që Serbia të fokusohet në një të ardhme më të ndritshme dhe më gjithëpërfshirëse”.

“Nëntë eurodeputetë nga të Gjelbrit dhe Socialdemokratët reaguan gjithashtu me një mesazh shumë të qartë se është e papranueshme që një vend kandidat të anëtarësohet në BE, ta vendos policinë e tij për ta mbrojtur muralin e një krimineli të dënuar lufte, i cili është drejtpërdrejt përgjegjës për krimet, masive, vrasje dhe gjenocid”, thotë Jelica Miniq.

Ajo tha se kjo konfirmon rënien e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut në Serbi, pikërisht për të cilën ata i referohen.

Sipas saj, Serbia tashmë ka hyrë thellë në ujëra të rrezikshëm. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme