Jep dorëheqje redaktori i “New York Times”

8 Qershor, 2020 - 8:30 pm

Gazeta “New York Times”, ka marrë shumë kritika pas publikimit të një opinioni, më 3 qershor, nga senatori republikan nga Arkansasi, Tom Cotton, titulluar “Dërgoni trupat”.

Zoti Cotton shkruante, se “autoriteti përmes forcës” do të rivendoste rendin, pas protestave të përhapura në të gjithë vendin, disa prej të cilave, të dhunshme.

“Është vonë, për të mbështetur autoritetet e zbatimit të ligjit në nivel vendor me autoritetin federal” – theksonte ai.

Agjencia e lajmeve “Reuters”, thotë se, nuk arriti të sigurojë ndonjë koment mbi këtë zhvillim nga James Bennet, si dhe nga ndonjë përfaqësues i senatorit Cotton. Opinioni i shkruar në “New York Times” nxiti kritika, si brenda ashtu edhe jashtë redaksisë së gazetës. Disa lexues e gazetarë, thanë se artikulli mbështeste veprime që do të vinin në rrezik protestuesit dhe gazetarët.

Fillimisht, botuesi i gazetës “New York Times” A.G. Sulzberger e mbështeti vendimin për ta botuar artikullin.

“Unë besoj në parimin e të qënit të hapur ndaj opinioneve të ndryshme, madje edhe ndaj atyre me të cilat ne nuk pajtohemi dhe ky artikull u botua nën këtë frymë”, shkruante ai në një email drejtuar stafin të gazetës ditën e enjte.

Por, të dielën zoti Sulzberger shkruante në një shënim dërguar stafit të gazetës që u sigurua edhe nga “Reuters” se: “javën e kaluar pamë një dështim të fortë në procesin tonë të redaktimit që nuk është i pari që kemi përjetuar vitet e fundit”.

Protestat për drejtësi mes komuniteteve të ndryshme racore në vend shpërthyen 14 ditë më parë pas shfaqjes së pamjeve filmike që tregonin George Floyd, një 46 vjeçar të paarmatosur, nën pranga e të shtrirë me fytyrën poshtë në një nga rrugët e Mineapolis ndërsa një oficer policie i bardhë i kishte vendosur gjurin mbi qafë duke e mbajtur për rreth nëntë minuta.

James Bennet do të zëvendësohet nga Katie Kingsbury. Zoti Bennet ka qenë redaktor i faqes editoriale të gazetës që nga viti 2016. Ai ka ndihmuar në zgjerimin e gamës së zërave të botuar në gazetë, si dhe ka eksploruar formate të reja, sipas një e-maili që zoti Sulzberger i kishte dërguar stafit të gazetës. Para se t’i bashkohej “New York Times” në detyrën e redaktorit, zoti Bennet ishte kryeredaktor i revistës “The Atlantic”.

Dorëheqja e tij, vjen ndërsa disa redaksi lajmesh në të gjithë Shtetet e Bashkuara po rishqyrtojnë vendimet e tyre mbi artikuj të botuar nëse ato përfaqësojnë shumëllojshmërinë dhe ndjeshmërinë e duhur ndaj çështjeve të komunitetit afrikano-amerikan.

Të shtunën, kryeredaktori i gazetës “Philadelphia Inquirer”, Stan Wischnowski dha dorëheqjen pasi punonjës të saj dolën në protestë lidhur me një artikull të titulluar “Edhe ndërtesat janë të rëndësishme”, një artikull mbi ndikimin e demonstratave të dhunshme tek prona private.

“Stan Wischnowski ka vendosur të largohet nga detyra e nënpresidentit dhe kryeredaktorit e të nisë një kapitull tjetër, në karrierën e tij”, – thuhej në një deklarate me shkrim, të drejtueses ekzekutive të “Philadelphia Inquirer”, Lisa Hughes.

“Reuters”, ende nuk ka arritur të sigurojë asnjë koment, nga zoti Wischnowski, rreth këtij zhvillimi. /Voa /KultPlus.com

Të ngjajshme