Jeta në tenda pas tërmetit, rrezikohet shëndeti i fëmijëve

8 Janar, 2020 - 11:30 am

Shumë banorë të Laçit, të cilët nuk mund të linin shtëpitë dhe gjënë e gjallë, 2020-ta i gjeti në çadra dhe mes të ftohtit. Për këta banorë netët nuk janë vetëm të gjata, por edhe të pagjuma. Çadrat e ngritura fare pranë shtëpive të pabanueshme nuk e izolojnë të ftohtin, ndërsa brenda tyre nuk ka asnjë mundësi për ngrohëse.

Në këto ditë të acarta janari më e vështirë ka qenë për fëmijët. Pavarësisht përpjekjeve të prindërve, i ftohti është ndjerë edhe nga të vegjlit, veçanërisht gjatë natës.

Banorë të Sanxhakut dhe zonave të tjera të Laçit, kërkojnë zgjidhje nga pushteti vendor, ndërsa për regjistrimin online të gjendjes së tyre pas tërmetit ata thonë se nuk janë në gjendje ta plotësojnë, disa për shkak të moshës e të tjerë për mungesë njohurish.

Në qarkun e Lezhës, i treti më i prekur nga tërmeti, pas Durrësit dhe Tiranës, mijëra banorë janë të pastrehë. Pas dëmtimit të shtëpive, një pjesë u shpërngulën në hotele ndërsa 1700 banorë, kryesisht të Laçit dhe Mamurrasit jetojnë në çadra. Dimri sapo ka nisur, për ta do të jetë edhe më i ftohtë. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme