Joga në zemër të Prishtinës si portretizim i paqes, harmonisë e shëndetit

21 Qershor, 2021 - 8:32 pm

Suada Qorraj

Tapetet shumë ngjyrëshe të jogës tashmë kishin zënë vend në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë. Nën tingujt e një muzike të qetë, shumllojmërisë së ngjyrave tashmë ju ishte bashkuar, trupi e shpirti i gjithsecilit, që sot për disa minuta, kishte gjetur qetësinë ne praktikimin e jogës, shkruan KultPlus.

Jogën mu në zemrën e Prishtinës, në qiellin e hapur, pikërisht aty ku secili fllad i lehtë që vinte kohë pas kohe, e sollën Agnesa dhe Rina Mehmeti, dy motrat që tash e sa vite drejtojnë studion ‘Urban Joga’.

Dyshja tregon për KultPlus se një ngjarje të tillë kishin vendosur ta realizon në ditën që njihet si më e gjata e vitit, ditën ndërkombëtare të jogës.

“Arsyeja se pse jemi këtu është për shkak se sot është dita ndërkombëtare e jogës dhe mbahet në tërë botën. Kurse data 21 është caktuar si ditë ndërkombëtare, se është dita më e gjatë e vitit. E në këtë ditë të gjithë dalin të festojnë për paqe, për harmoni, për lumturi e mbi të gjitha shëndet”, pohoi Agnesa Mehmeti.

Synimi i këtij aktiviteti ishte që ti afronte më shumë njerëzit, të ju ngriste vetëdijen, por dhe të ju dëshmonte se joga është më shumë sesa meditim.

 “Aktiviteti është për me i pru njerëzit pak më afër, të ju ngrisim vetëdijen , ti kthejmë nga vetja dhe shëndeti. Ta provojnë jogën, se nuk është vetëm meditim, është edhe një ushtrim i vogël trupor, ngase ndihmon shumë në forcimin e trupit”, shtoi tutje ajo.

Ndërkaq për Rina Mehmetin joga ishte, por dhe mbetet qetësia shpirtërore në mbylljen që solli pandemia. Ajo thotë se çdo kush duhet ta provojë jogën.

“Në kohën e pandemisë që na mentalisht kemi qenë të mbyllur me joga mundohem me u hap më shumë edhe me e gjetë atë qetësinë shpirtërore. Kështu që ky vend mendoj që është shumë i qëlluar, ngase edhe po mbahet në ambientet e jashtme. Secili dihet ta provoj”, tha ajo.

Agnesa e Rina Mehmeti kanë mishëruar në veten tyre praktikimin e jogës tash e tetë vite. Fillimisht si ndihmesë për problemet shëndetësore, e më vonë shumë më tepër se kaq. Joga tashmë është bërë ndihmesa e tyre më e madhe.

“Sa më shumë lëvizje, trupi është me fleksibili, boshti kurrizor është më fleksibili, e në fund edhe mendja është fleksibilie”, përfundojnë intervistën e tyre motrat Ahmeti./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme