Kadare nderohet me urdhrin ‘Hasan Prishtina’: Nuk ka nderim më të madh për një intelektual sesa kjo që po e përjetoj unë sot

7 Qershor, 2023 - 3:25 pm

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, është dekoruar sot me urdhrin ‘Hasan Prishtina’ nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përcjell KultPlus.

Në një ceremoni me të ftuar specialë në Presidencën e Kosovës, presidentja Osmani i shprehu mirënjohje shkrimtarit Kadare, veprën e të cilit ajo e cilëson një enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptarëve.

“I nderuar zotëri Kadare, jam shumë e lumtur për praninë tuaj këtu, aq më tepër që ndodheni këtu atëherë kur Prishtina jonë e dashur, për herë të 23-të, është veshur me petkun e festës së librit, si nikoçire tashmë e dëshmuar e autorëve, lexuesve dhe botuesve të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare. Jam po kaq e lumtur që sot mund t’ua shpreh mirënjohjen e thellë të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj për kryeveprat letrare që ju i keni shkruar e të cilat përbëjnë një ndër thesaret më të rëndësishme kulturore tonat, por krahas veprimtarisë letrare, ju keni qenë vazhdimisht një pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë”, u shpreh presidentja Osmani, teksa pas fjalimit të saj e ftoi shkrimtarin Kadare për të dekoruar me dekoratën më të lartë shtetërore.

Pas dekorimit, para të ftuarve foli edhe vetë shkrimtari Kadare, i cili shprehet i prekur për një nderim të tillë.

“Çdo shqiptar do ta ëndërronte një gjë të tillë, është një fat i rrallë që një popull të të nderojë, sidomos kur ky popull e ka rrugën e historisë të vështirë. Për fat të keq, Shqipëria ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmbë nga forca të tjera të huaja, por për fat të mirë ajo gjithashtu i ka kapërcyer gjatë shekujve me mënyra të ndryshme”, u shpreh Kadare.

Më tutje ai u shpreh se vetë grumbullimi i sotëm do të thotë se megjithatë shqiptarët kanë triumfuar.

‘Ne këtu, vetë grumbullimi jonë në këtë sallë nga shqiptarë të të gjitha zonave të Ballkanit tregon këtë triumf të gjatë shekullor, dhe nga një triumf i tillë asnjë komb nuk heq dorë për veten e vetë, për lirinë e vetë, për gëzimin e vetë, për të ardhmen e vetë, pra është një triumf për atë që quhet qytetërim njerëzor, i kësaj bote ku jetojmë’, tha Kadare duke shtuar mes tjerash se nuk ka nderim më të madh për një intelektual shqiptar sesa kjo që e përjetoi ai sot.

Ndërkaq, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptar, Ismail Kadare, ka qëndruar këto dy ditë në Prishtinë ku edhe ishte i pranishëm në hapjen edicionit të 23-të të Panairit të Librit./ KultPlus.com

Të ngjajshme