22 Korrik, 2025 - 3:00 pm
Një vit më parë u nda nga jeta, në moshën 88-vjeçare, gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare. Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve me librat e tij u dha mundësinë shqiptarëve të mendonin dhe ëndërronin perëndimin, përtej kufirit dhe errësirës së diktaturës.
Ndërsa botën e njohu me Shqipërinë, shtetin me traditat dhe kulturë evropiane por që ishte izoluar nga diktatura komuniste dhe ishte lënë jashtë nga Evropa,transmeton rtsh.
Veprat e tij të përkthyera në 45 gjuhë të botës një vit pas vdekjes se tij kanë një interes të shtuar nga shqiptarët dhe turistët të cilët vizitojnë Shqipërinë dhe ndalesa e radhës është ajo në librari për të mos u larguar pa një vepër të shkrimtarit Ismail Kadare.
“Emri Ismail Kadare vazhdon të jetë i preferuar nga lexuesit shqiptar por edhe të huaj. Veprat e tij janë ndër më të shiturat”, tha librashitësi.
Veprat e tij si “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Kronikë në Gur”, “Prilli i Thyer”, “Pallati i Ëndrrave” janë nder më të lexuarat.
Veprat e tij vendosën Kadarenë si një zë të veçantë në letërsinë botërore, një zë që fliste për absurditetin e diktaturës, dramën e ekzistencës dhe kompleksitetin e historisë shqiptare.