Kafaz i qelqtë, një eksperiment kundër izolimit social

1 Maj, 2023 - 12:24 pm

Një eksperiment social, i emërtuar ndryshe si kafazi i qelqtë, filloi sot në parkun përballë Pallatit Kombëtar të Kulturës në Sofje, njoftoi bashkia e Sofjes.

Veprimtaria do të përpiqet të frymëzojë të rinjtë që të kenë një jetë fizikisht më aktive dhe të kalojnë më pak kohë në izolim social duke e lënë vrapuesin e ultramaratonës, Krasse Gueorguiev të izoluar në një dhomë me tre mure transparente për 15 ditë.

Kafazi i qelqtë do të jetë i mobiluar vetëm me një dyshek dhe banjë.

Publiku do të mund ta shikojë Gueorguievin 24/7 si në park ashtu edhe përmes një transmetimi online, por ai nuk do të lejohet të komunikojë me askënd.

Ai do të jetë në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve dhe potencialisht të marrë sugjerime për sfida të reja vetëm një herë në 24 orë për gjysmë ore.

Gjatë gjithë eksperimentit, Gueorguiev do të monitorohet nga një ekip ekspertësh të kujdesit shëndetësor, të cilët do të mbajnë shënim gjendjen e tij fizike dhe mendore.

Eksperimenti do të mbledhë të dhëna të besueshme mbi dëmet e izolimit social, barrën e komunikimit në një mjedis dixhital dhe dëmin e mungesës së komunikimit të drejtpërdrejtë ndërpersonal.

Këto të dhëna do të përdoren për të krijuar një program për reduktimin e izolimit social, uljen e barrës dixhitale të të rinjve dhe parandalimin e varësive të ndryshme tek fëmijët e moshës 11 deri në 18 vjeç.

Gueorguiev është një vrapues i suksesshëm, trajner, folës motivues dhe nutricionist.

Arritjet e tij sportive përfshijnë një përfundim të suksesshëm në Ultramaratonën Badwater në Luginën e Vdekjes në Kaliforni, me një gjatësi prej 217 kilometrash, si dhe vrapimin e rreth 30 ultramaratonave të tjera në mbarë botën, nga Arktiku në Kamboxhia./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme