Kafshët shoqëruese tani e tutje duhet të regjistrohen në Kosovë

4 Mars, 2021 - 10:14 am

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa ka nënshkruar dy udhëzime administrative që kanë të bëjnë me regjistrimin e obligueshëm të kafshëve shoqëruese (qen, mace), kjo si masë për parandalimin e braktisjes së qenve. Kështu kanë bërë të ditur organizata joqeveritare “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve”.

“Ministri në detyrë i MBPZHR, z. Besian Xh Mustafa, ka nënshkruar dy udhëzime administrative (MBPZHR 01/2021 & 02/2021), të cilat ua bëjnë të obligueshme mbajtësve (pronarëve) të kafshëve shoqëruese, të bëjnë identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve të tyre. Organizata jonë së bashku me partnerët tanë, si iniciues të këtij procesi, me fasilitimin dhe përkushtimin e madh zv. KM të parë, z. Besnik Tahiri, ka punuar vazhdimisht në grupin punues së bashku me AUVK-në dhe zyrtarët e MBPZHR, për t’i finalizuar këto dy udhëzime administrative”, thuhet në komunikatën për media nga “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve”.

Pas hyrjes në fuqi të këtyre udhëzimeve të gjithë personat që mbajnë kafshë shoqëruese duhet t’i identifikojnë dhe regjistrojnë kafshët e tyre, pranë subjekteve veterinare që do të kontraktohen apo autorizohen nga AUVK.

“Më konkretisht, pas hyrjes në fuqi të këtyre udhëzimeve (10.03.2021), të gjithë personat që mbajnë kafshë shoqëruese (qen, mace), duhet të identifikojnë dhe regjistrojnë kafshët e tyre, pranë subjekteve veterinare që do të kontraktohen apo autorizohen nga AUVK. Organizata jonë do të takohet me AUVK-në për të diskutuar planin e zbatimit të këtyre dy udhëzimeve administrative, dhe më pas, do të organizojë fushata informuese për t’i informuar mbajtësit e kafshëve për përgjegjësitë e reja ligjore që ju takojnë për të regjistruar kafshët e tyre”, tregohet në komunikatë.

Tutje në komunikatë thuhet se “Më në fund, edhe shteti ynë ka një bazë ligjore, e cila e obligon regjistrimin e kafshëve shoqëruese, por ç’është më e rëndësishme, të njëjtën kohë, e ndalon dhe e ndëshkon braktisjen e tyre. Kjo, ka munguar për vite të tëra në vendin tonë, dhe jemi të lumtur që më në fund është krijuar baza ligjore për parandalimin e braktisjes së kafshëve shoqëruese”. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme