“Kala Festival”, mbi 3000 vizitorë të huaj në bregdetin e Dhërmiut

26 Maj, 2023 - 9:57 am

Bregdeti i Dhërmiut do të presë nga 31 maji deri më 6 qershor “Kala Festival”, ku qindra të rinj të huaj dhe shqiptarë do të shijojnë aventurën verore mes riteve të muzikës dhe mrekullive të peizazhit që ofron riviera shqiptare.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale një video promovuese të këtij festivali, i cili është kthyer në traditë vitet e fundit.

“Në Dhërmi po bëhet gati të fillojë një tjetër festë ndërkombëtare si Kala Festival, që sjell mbi 3000 vizitorë nga Britania dhe shumë të tjerë nga gjithë Evropa për të festuar në bregdetin tonë prej 31 majit deri më 6 qershor”, tha Kumbaro.

“Kala Festival”, përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë.

Përgjatë ditëve në festival marrin pjesë edhe DJ të famshëm ndërkombëtarë. Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës shqiptare. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme