Kalaja e Rozafës thyen rekorde: Mbi 100 mijë vizitorë vetëm në 7 muaj

1 Gusht, 2025 - 11:16 pm

Një nga monumentet më të rëndësishme historike dhe turistike në Shqipëri, Kalaja e Rozafës, ka regjistruar një numër rekord vizitorësh për periudhën janar-korrik 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër (DRTK), këtë kala e kanë vizituar 100,500 turistë gjatë shtatëmujorit të parë të vitit.

DRTK ka ndarë edhe një album fotografik emocionues, ku shfaqen grupe vizitorësh nga vende të ndryshme, të shoqëruar nga guida lokale, si dhe pamje spektakolare të kalasë gjatë natës – një ansambël i ndriçuar që shkëlqen mbi qytetin dhe bie në sy që nga largësia.

Kalaja e Rozafës mbetet destinacioni kryesor për çdo turist që viziton Shkodrën, qofshin ata që ndalen për pak orë apo qëndrojnë më gjatë në qytet. Pozicioni strategjik i saj në hyrje të qytetit, mbi një kodër shkëmbore midis lumenjve Drin dhe Buna, ofron një panoramë mahnitëse të liqenit dhe luginës përreth, duke e bërë një ndalesë të paharrueshme.

Ky monument i lashtë, me një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh dhe mure që shtrihen në një perimetër prej 881 metrash, është zemra e Parkut Arkeologjik Shkodër dhe një nga krenaritë më të mëdha të trashëgimisë kulturore shqiptare./KultPlus.com

Të ngjajshme