‘Kalorës i Urdhërit të Flamurit’ për përkthyesin dhe analistin politik, Auron Dodi

9 Qershor, 2022 - 8:00 pm

Presidenti Ilir Meta dekoroi sot me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhërit të Flamurit’, përkthyesin dhe gjuhëtarin e shquar, analistin politik dhe gazetarin e mirënjohur, Auron Dodi.

Presidenti theksoi se, ky Titull iu akordua Dodit, në vlerësim të ndihmesës së jashtëzakonshme të dhënë për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes popujve tanë, si dhe me mirënjohje për kontributin e gjatë dhe profesionalizimin e jashtëzakonshëm të dëshmuar në mediet ndërkombëtare, ku ka spikatur për thellësinë dhe saktësinë e analizave të tij.

“Themelues i Programit Shqip të medies prestigjioze gjermane “Deutsche Welle”, përkthyes zyrtar i të gjithë Kancelarëve dhe Presidentëve federalë të Gjermanisë prej çerek shekulli, i pandarë në tryezat shtetërore politike, në negociatat e nivelit më të lartë për marrëdhëniet politike, të drejtësisë, ekonomike, në bashkëpunimin e sigurisë dhe atë mbrojtjes midis dy vendeve tona, puna e Auron Dodit, na mbush me krenari, pasi dëshmon besim dhe vlerësim të rrallë për integritetin e një qytetari tonë”, vlerësoi Presidenti./ KultPlus.com

Të ngjajshme