“Kalorësi i Babunjës” rikthehet në Shqipëri pas ekspozimit në Vjenë

5 Gusht, 2025 - 9:42 pm

Skulptura unike prej bronzi, “Kalorësi i Babunjës”, është rikthyer në Shqipëri pas dy muajsh ekspozimi në një nga institucionet muzeale më prestigjioze të Europës, Muzeun e Historisë Natyrore në Vjenë.

Lajmi është bërë i ditur nga Akademia e Shkencave, e cila thekson se ekspozita u realizua falë bashkëpunimit mes Ambasadës së Shqipërisë në Austri, Institutit të Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave dhe vetë muzeut austriak. Hapja e saj u shoqërua me një konferencë shkencore ndërkombëtare, ku morën pjesë mbi 120 studiues nga e gjithë bota.

Shqipëria u përfaqësua me emra të njohur të fushës, si akad. Adem Bunguri, prof. Neritan Ceka, prof. Bashkim Lahi dhe prof. asoc. Eduard Shehi.

Skulptura 2600-vjeçare, e zbuluar në vitin 2018 pranë Apolonisë (Babunjë, Lushnjë), qëndroi e ekspozuar në “Sallën e Artë” të muzeut nga 13 maj deri më 31 korrik 2025, ku u prit me interes të madh nga publiku dhe ekspertët ndërkombëtarë.

Pas suksesit të ekspozitës, “Kalorësi i Babunjës” është rikthyer në Tiranë dhe do të vendoset për ekspozim të përhershëm në Muzeun Arkeologjik, pranë Institutit të Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë./KultPlus.com

Të ngjajshme