Kampi i Everestit mund të zhvendoset, shkak ndryshimet mjedisore

22 Qershor, 2022 - 1:55 pm

Nepali po shqyrton mundësinë e zhvendosjes së kampit bazë të Everestit për shkak të shqetësimeve mjedisore. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Turizmit, Taranath Adhikari, vendndodhja e kampit bazë përballet me një rrezik nga shkrirja e akullnajës Khumbu aty pranë.

“Ne kemi marrë rekomandime nga aktorë të shumtë për të zhvendosur kampin bazë. Ende nuk është marrë vendimi, por ne po i marrim këto sugjerime shumë seriozisht,” tha ai.

Këto palë të interesuara përfshijnë banorë vendas, alpinistë dhe ekspertë mjedisorë. Megjithatë, çdo ndryshim i madh në malin Everest, majën më të lartë në botë, nuk do të bëhet me nxitim.

Meqenëse aktivitetet kërkimore mund të kryhen vetëm gjatë pranverës, mund të duhen 2-3 vjet për të marrë një vendim.

Disa studime u zhvilluan gjatë sezonit pranveror të ngjitjeve të këtij viti, i cili në përgjithësi arrin kulmin në maj. Pasi palët e përfshira të përfundojnë kërkimin e tyre, ata ka të ngjarë t’i paraqesin një propozim qeverisë.

Kabineti i Nepalit do të kishte fjalën e fundit për një vendim.

Kjo nuk është hera e parë që ekspertët kanë dhënë alarmin për dëmtimin mjedisor në malin Everest. Një studim i “Atmospheric Science”, i botuar në fillim të këtij viti, zbuloi se akulli i formuar gjatë një periudhe prej 2000 vjetësh në akullnajën South Col u shkri në rreth 25 vjet.

“Nepal i vetëm nuk mund të zvogëlojë emetimet e karbonit dhe ndikimin e ngrohjes globale. Megjithatë, ne mund të zgjidhim disa prej shqetësimeve me masa të tilla të përkohshme,” tha ai.

Ndryshimet klimatike po sjellin ndikim në disa nga vendet më të çmuara në botë. / Oranews / KultPlus.com

Të ngjajshme