Kandiq: Dekorimi i Handkes është nisje e luftës ndaj rajonit dhe neve që bartim turpin e gjenocidit dhe krimeve që kreu Serbia

11 Maj, 2021 - 4:34 pm

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, ka reaguar pasi presidenti Aleksander Vuçiq ka dekoruar mohuesin e gjenocidit dhe mbështetësin e Millosheviqit, Peter Handke me medaljen më të lartë shtetërore “ Urdhëri i Yllit të Karagjorgjit”.

Kandiq përmes një reagimi në Twitter ka thënë se Vuçiqi me atë gjest ka filluar një luftë kundër botës së civilizuar, fqinjëve dhe njerëzve në Serbi që mbajnë turpin e gjenocidit të kryer nga Millosheviqi në vitet e 90-ta.

“Duke dekoruar me “Urdhrin e Yllit të Karagjorgjitit” Peter Handken, Presidenti i Serbisë, filloi luftën kundër botës së civilizuar, fqinjëve dhe secilit prej nesh në Serbi që mbajmë turpin e gjenocidit të kryer dhe krimeve masive të forcave serbe në luftërat e viteve 1990. Nuk ka asnjë dromcë shprese”, ka shkruar Kandiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para dy ditësh e ka dekoruar me medaljen më të lartë shtetërore “Urdhri i Yllit të Karagjorgjit” fituesin e çmimit Nobel për letërsi vitin e kaluar, Peter Handke, i cili i bëri apologjetikë Sllobodan Millosheviqit për krimet e kryera në Ballkan.

Vuçiq e falënderoi Handken për gjithçka që bëri për Serbinë, duke e konsideruar “zëdhënës” të tyre.

Në anën tjetër, asnjë zyrtar shtetëror i Kosovës nuk ka reaguar ndaj dekoratës që presidenti serb Aleksandër Vuçiq i ka bërë mbështetësit të Millosheviqit, shkrimtarit austriak, Peter Handke. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Të ngjajshme