Kanionet e Nivicës, pasuri natyrore e turizmit malor në jug të Shqipërisë

11 Gusht, 2020 - 1:10 pm

Kanionet e Nivicës janë një tjetër pasuri natyrore dhe destinacion turistik në vendin tonë.

Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi publikoi sot disa foto nga këto kanione, ndërsa nënvizoi se janë një mrekulli që duhet me patjetër të vizitohen nga turistët vendas e të huaj.

“Kanionet e Nivicës janë një mrekulli natyrore, dhe ndër kanionet më të bukura që kemi. Ato fillojnë në krye të fshatit Nivicë dhe kanë një gjatësi të përgjithshme rreth 7 km. Kanionet zgjerohen në drejtim të fshatit Lekdush, poshtë tij. Pjesa më e ngushtë e kanioneve shtrihet poshtë fshatit Nivicë me një gjatësi rreth 3 km. Gjerësia e kanioneve varjon nga 2-3 m në fillimet e tyre dhe vijnë duke u zgjeruar përgjatë rrjedhës me një gjerësi që shkon rreth 1000 metër. Rrjedha e ujit ka krijuar vaska uji, ujëvara e shpella interesante si psh : shpella me qiell”,- thekson Çuçi.

Kanionet ndodhen në afërsi të fshatit Nivicë të Tepelenës. Vizitohen sipas rrugës automobilistike Tepelenë, Progonat, Nivicë ose dhe nga bregdeti, duke u futur nga Lumi i Vlorës, Himara apo Borshi.

Kanionet e Nivicës janë një pasuri natyrore e turizmit malor në jug të Shqipërisë.  Adhuruesit e natyrës dhe aventurës, përveç bukurive që ofron bregdeti, mund të bëjnë edhe shëtitje malore në lartësitë e Nivicës, ku gjendet kanioni. Ky vend është një distancë jo e largët dhe gjendet vetëm pak kilometra nga deti, në një natyrë të mrekullueshme.

Kohët e fundit turistët aventurierë të sporteve malore dhe ujore kanë filluar t’i vizitojnë këto kanione dhe t’i prezantojnë ato në botën turistike nëpërmjet fotove e videove që realizojnë në to. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme