Kanye West kontribuon në ushqyerjen e të moshuarve gjatë pandemisë së koronavirusit

20 Mars, 2020 - 4:28 pm

Reperi 42-vjeçar, Kanye West, me shumë bujari po i përkrahë dy organizata bamirëse në Chicago dhe Los Angeles, të cilat kanë për qëllim t’i ndihmojnë personat në nevojë gjatë kësaj pandemie të koronavirusit.

Josephine Wade e cila e udhëheqë organizatën “We Women Empowered” në Chicago, tha: “Kur e morra lajmin se, Kanye West, dëshiron t’i ndihmojë të moshuarit në Chicago, që është vendlindja e tij, mbeta pa fjalë nga emocionet. Dhe vetëm me një telefonatë të thjeshtë, mund të themi se bota jonë ka ndryshuar.”

Organizata në fjalë siguron ushqim me dërgesë për personat e moshuar në rajonin e Chicagos ku reperi West është rritur, transmeton KultPlus.

Ylli i hitit “Jesus Walks” besohet se ka dhuruar të holla edhe për organizatën “The Dream Center Los Angeles”, e cila po ashtu sigurohet t’iu dërgojë ushqim në shtëpitë e tyre, të gjithë personave të prekur nga koronavirusi e të cilët janë në izolim.

Kanye dhe bashkëshortja e tij, Kim Kardashian West, kanë qenë mjaft aktiv në përpjekjen për ta ndihmuar publikun gjatë kësaj periudhe vetizoluese.

Kim është kujdesur ta shfrytëzojë platformën e saj në Instagram dhe t’iu bëjë thirrje 163 milionë ndjekësve të saj që të tregohen të kujdesshëm, të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur dhe të kontribuojnë në parandalimin e koronavirusit i cili sidomos për të moshuarit po rezulton të jetë vdekjeprurës. / KultPlus.com

Të ngjajshme