Karabina: Padi për dëmshpërblim për “Muret e Portës” në Durrës

3 Shkurt, 2024 - 3:02 pm

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina u shpreh sot në një deklaratë për mediet nga porto Romano se kompania koncesionare që kryen punime ka rrethuar zonën, edhe pse brenda saj ka Monument Kulture Kategori e Parë dhe Zonë e Mbrojtur përreth.

“Një varg institucionesh të drejtësisë, kulturës dhe të territorit dështuan të ndalonin punimet e paligjshme për ndërtimin e Portit të hidrokarbureve në Porto-Romano. Ndërkohë që Prokuroria e Durrësit hetonte për dëmtimin e mundshëm të monumentit antik “Muret e Portës”, ai u shkatërrua nga “Shoqëria koncesionare Porti MBM” (‘Multi Buoy Mooring’)”, u shpreh Karabina.
Sipas saj, pavarësisht statusit Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej vitit 1948 dhe me status si Zonë e Mbrojtur përreth monumentit që u shpall nga Ministria e Kulturës më 2016-ën, pra si një nga objektet më të mbrojtura ligjërisht në Shqipëri, kjo nuk e ndaloi kompaninë koncesionare që të rrafshonte, sipas ekspertëve, 78 metra nga muri perëndimor i monumentit.

Muri ishte pjesë e historisë së arkitekturës ushtarake, si një nga rastet e rralla të mureve barrierë për mbrojtjen pjesore të qyteteve, që në Antikitetin e Vonë ishin vetëm 5 të tillë në Rajon dhe përfaqëson vlera të trashëgimisë kulturore botërore, theksuar nga ekspertët.

“Si një dëshmitar i kohës, Muri 1600 vjeçar na sjell panoramën e plotë se si një tërësi institucionesh, me veprim dhe mos veprim kanë shkaktuar shkatërrimin me dashje të trashëgimisë kulturore jo vetëm të qytetit të Durrës, por të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm. Një trashëgimi e njeriut, gjurmët dhe pesha e të cilit është dhe duhet të jetë prioritet i çdo qeverie”, tha ajo.
“Sot, në pamundësi për ta rikthyer këtë pjesë të trashëgimisë tashmë të shkatërruar, kërkojmë që strukturat shtetërore përkatëse për trashëgiminë kulturore, Ministria e linjës dhe drejtoritë apo institucionet në varësi si edhe Avokatura e Shtetit, të paraqesin padi për shpërblimin e dëmit që i është shkaktuar shtetit shqiptar nga shembja e këtij monumenti kulture. Gjithashtu, ne kërkojmë që Prokuroria të përfundojë hetimet dhe të çojë për gjykim fajtorët e kësaj vepre penale”, tha Karabina./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme