Karnavalet e Shkodrës, Beci: Po kujdesemi për detajet e fundit të festës tradicionale

9 Shkurt, 2024 - 9:54 am

Shkodra, e njohur si qendra e festimit të karnavaleve në Shqipëri, do të kthehet në një ambient festiv nga 23-25 shkurt.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci së bashku me grupin e punës po punojnë për detajet e fundit të kësaj feste, që pritet të gjallërojë qytetin me maskat dhe veshjet e ndryshme.

“Karnavalet e Shkodrës do të jenë një festë për të gjithë. Po kujdesemi për detajet e fundit për t’i dhënë kësaj feste tradicionale ngjyrat dhe shkëlqimin e saj. Nuk do të mungojnë as surprizat që do ta shoqërojnë qytetin gjatë 3 ditëve festive, 23-25 shkurt”, theksoi Beci.

Shkodra është qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen.Fesimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve ’90.

Megjithëse mendohet të ketë origjinë pagane, në qytetërimin e krishterë perëndimor, festa e Karnevaleve njihet si festë fetare. Vetë emri i saj, në latinisht, nënkupton privimin nga ushqyerja me mish (carnem-levamen ose levare) në 40 ditët që i paraprijnë Pashkëve. Për këtë arsye, nuk ka një datë të caktuar për fillimin e festimeve pasi ajo ndryshon nga viti në vit, sipas Pashkëve.

Shkodra njihet edhe si qyteti i prodhimit të maskave të famshme veneciane, që u japin jetë festave të tilla./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme