1 Korrik, 2025 - 2:00 pm
Ministri në detyrë i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Hajrulla Ceku ka njoftuar se ka filluar projekti “Kujtesa e masakrave në Kosovë”, e që për këtë projekt janë përfshirë katër institucione të Kosovës.
Ky projekt do të përfshijë të mbijetuarit e masakrave të Kosovës, gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe se këto dokumentime do të bëhen me audio-intervista.
Më poshtë po e sjellim njoftimin e plotë mbi këtë projekt-dokumentim.
Rrëfime që nuk guxojnë të humbin. Zëra që duhen dëgjuar, ruajtur dhe kujtuar përherë.
Ka nisur projekti tre vjeçar “Kujtesa e masakrave në Kosovë” që do të dokumentojë rrëfimet e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve nga dhjetë prej masakrave më të rënda të luftës në Kosovë, 1998–1999. Mbi 1000 intervista audio që do të bëhen pjesë e një arkive publike që ruan kujtesën dhe të vërtetën.
Projekti realizohet nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë të Universitetit të Prishtinës, Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
Dokumentimi dhe ekspozimi i krimeve të regjimit serb ndaj shqiptarëve është obligim për të cilin po angazhohemi çdo ditë./ KultPlus.com