10 Maj, 2025 - 2:29 pm
Kujtim Laro, kompozitori i rreth 35 kolonave zanore të filmave shqiptarë, i dhjetëra këngë festivalesh dhe krijime të tjera muzikore është përkujtuar në vigjilje të ditës së tij të lindjes.
Radio Televizioni Shqiptar ka realizuar dokumentarin “Katër masa shpirti”, me autore Albana Kozelin, montazh nga Gjergji Pano, drejtor fotografie Shkëlzen Sinani dhe konsulente artistike Holta Sina.
Dokumentari për nder të kompozitorit Laro, ikonës së muzikës së filmit shqiptar, u shfaq premierë mbrëmjen e djeshme me pjesëmarrje të gjerë të miqve, bashkëpunëtorëve dhe artistëve të shumtë
Autorja e dokumentarit, Albana Kozeli tha se “Kujtim Laro i përket RTSH-së, pasi ka punuar aty, por i përket edhe të gjithë spektrit muzikor të filmit. Ishte mbështetja e RTSH-së, në mënyrë të veçantë e drejtoreshës, zonjës Eni Vasili, që dua ta falënderoj veçanërisht. Patjetër edhe gjithë stafi që më ka ndenjur pranë, që nga drejtori i fotografisë Shkëlzen Sinani, montazhieri Gjergji Pano dhe shumë njerëz të tjerë”.
Kompozitori i njohur Robert Radoja u shpreh se “muzika e tij e filmave është një ndër muzikat më të bukura që ka lënë gjurmë dhe do të lërë gjithmonë”.
Për regjisorin Mevlan Shanaj, “nuk ka ardhur ende koha që të thuhet e vërteta për Kujtim Laron në kufijtë e të jashtëzakonshmes”.
Kujtim Laro (1947-2004) u lind në maj të vitit 1947 në qytetin e Vlorës. Studimet e larta i përfundoi në vitin 1970 në Institutin e Lartë të Arteve, më vonë shërbeu si pedagog për shumë vjet në Akademinë e Arteve. Ka punuar edhe si drejtor artistik pranë Ansamblit të Ushtrisë. Laro mbante titujt “Artist i Merituar” dhe “Naim Frashëri” i klasit të parë.
Në kujtesën e shqiptarëve ai mbahet mend më së tepërmi si kompozitor filmash. Firmën e tij mbajnë kolonat zanore të filmave të njohur, si “I teti në bronz”, “Në fillim të verës”. “Lulëkuqe mbi mure”, “Udha e shkronjave”, “Liri a vdekje”, “Nëntori i dytë”. “Militanti”, “Vendimi”, “Yjet e netëve të gjata”, “Nusja dhe shtetrrethimi”. “Partizani i vogël Velo”, “Fletë të bardha” etj.. Krijimi i tij i fundit ka qenë muzika e filmit “Lule të kuqe, lule të zeza”.
Gjatë karrierës së tij, Laro ka bashkëpunuar me regjisorët më të mirë shqiptarë, si Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Mevlan Shanaj, etj.
Krijimtarinë e tij në këtë gjini e ka nisur me filmin “I teti në bronz” dhe e mbylli me kolonën zanore të filmit “Lule të kuqe, lule të zeza”. Të shfaqur vetëm pak muaj më parë ngjarjes, në kinematë e kryeqytetit dhe që u quajt prej kolegëve të tij si “kënga e fundit e mjellmës”.
Këtë muzikë filmi, kompozitori i madh i cilësuar nga kolegët si “Enio Morricone”, ia besoi Saimir Çilit ta shndërronte në këngë. Një këngë e cila ishte edhe dëshira e fundit e kompozitorit për ta përcjellë në banesën e fundit në vitin 2004.
Laro mbante titujt “Artist i Merituar” dhe “Naim Frashëri” i klasit të parë./ KultPlus.com