“Kayak Fest” në Parkun Kombëtar të Prespës

6 Korrik, 2025 - 9:35 pm

Parku Kombëtar i Prespës u bë këtë vit mikpritësja e “Kayak Fest”, një aktivitet që bashkon sportin, aventurën dhe trashëgiminë kulturore në një nga zonat më piktoreske në juglindje të vendit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga organizimi i “Kayak Fest” në Parkun Kombëtar të Prespës, që shërbeu si një mundësi e shkëlqyer për të eksploruar bukuritë natyrore të Liqenit të Prespës, për të mësuar teknikën e kajakimit dhe për të shijuar kulturën dhe traditat lokale në një ambient miqësor dhe familjar.

Me një itinerar që shtrihet nga 2.5 deri në 5 kilometra, pjesëmarrësit përshkuan ujërat e qeta të liqenit të Prespës me kajak, nga plazhi i Zaroshkës deri në ishullin e Maligradit.

Dhjetëra të apasionuar pas natyrës dhe sportit përjetuan një eksperiencë të veçantë përmes këtij aktiviteti.

Pjesëmarrësit e “Kayak Fest” e përshkruan këtë përvojë jo vetëm si një sfidë fizike, por edhe si një lidhje të thellë me natyrën dhe komunitetin vendas. Aktiviteti po shndërrohet gradualisht në një traditë që promovon turizmin e qëndrueshëm dhe zhvillimin e zonave të nënvlerësuara të Shqipërisë.

“Kayak Fest” në Parkun Kombëtar të Prespës vlerësohet si një vlere e shtuar në ofertën turistike të zones. Ngjarje të tilla ndihmojnë në formësimin e Prespës si një destinacion të qëndrueshëm dhe tërheqës për turizmin natyror.

Prespa, me liqenin e saj të kthjellët dhe trashëgiminë historike, po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një destinacion i gjithanshëm për ata që kërkojnë më shumë sesa pushime – një përjetim të plotë natyror dhe kulturor./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme