‘Keep Calm and Carry On’, nga poster i harruar, në ikonë kulturore të shekullit 21

6 Gusht, 2025 - 2:50 pm

Në pranverën e vitit 2000, në një kuti pluhurosur në librarinë Barter Books në Alnwick, Angli, u zbulua një poster i harruar i Luftës së Dytë Botërore me mesazhin: “Keep Calm and Carry On”. Asokohe askush nuk e dinte se ky slogan do të bëhej një ndër shprehjet më të përhapura dhe të transformuara të kohëve moderne.

Posteri ishte krijuar në vitin 1939 nga Ministria Britanike e Informacionit për të ngritur moralin publik në rast sulmesh ajrore. Ndryshe nga dy posterët e tjerë të serisë, që u shpërndanë gjerësisht, ky kurrë nuk u publikua zyrtarisht dhe shumica e kopjeve u shkatërruan për të kursyer letër. Vetëm disa mbijetuan, përfshirë atë që u gjet në librari.

Stuart dhe Mary Manley, pronarët e librarisë, vendosën ta varin në mur. “Nuk kishim asnjë ide për atë që do të bëhej,” kujton Stuart. Popullariteti nisi si një fenomen lokal, por shpërtheu globalisht pas një artikulli të “The Guardian” në vitin 2005. Deri në vitin 2007, ishin shitur mbi 50,000 kopje.

Në një botë të ndryshuar nga interneti, kultura e memeve dhe ironia, slogani gjeti kuptim të ri. Në kohë krizash, si ajo financiare e vitit 2008, “Keep Calm and Carry On” u pa si thirrje për qëndrueshmëri. Ai u bë pjesë e identitetit kombëtar britanik, por gjithashtu u transformua pafundësisht: Keep Calm and Drink Tea, Keep Calm and Have a Cupcake, e kështu me radhë.

Megjithatë, jo të gjithë e përqafuan mesazhin. Kritikët e panë si simbol të elitizmit, propagandës së luftës apo si përgjigje të pandjeshme ndaj krizave moderne. Për disa, ai përfaqëson nostalgjinë për “kohët e arta” të qëndrueshmërisë britanike, për të tjerë, një klishe pa thelb.

Pavarësisht debateve, posterit i mbeti forca për të përcjellë një ndjenjë qetësie në kohë të trazuara. Thjeshtësia e dizajnit, fuqia e mesazhit dhe aftësia për t’u përshtatur me çdo kontekst, e kanë bërë të pavdekshëm në kulturën pop.

Një slogan i krijuar për luftën, por që jeton edhe sot, ndërmjet humorit, kritikës dhe nostalgjisë./BBC/KultPlus.com

Të ngjajshme