Kelmendi: Trajneri Kuka nuk më ka bërë thjesht kampione të botës, por një heroinë të Kosovës

13 Tetor, 2023 - 8:30 pm

Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) është duke realizuar një seri të intervistave të titulluara “Legjendat”, ku protagonistë janë disa prej xhudistëve më të suksesshëm në botë, shkruan KultPlus.

Xhudistja më e suksesshme kosovare, Majlinda Kelmendi, është pjesëmarrëse në episoden e fundit.

Në intervistën e fundit, trajnerja Kelmendi, duke mbajtur një fotografi në dorë, ndan historinë e saj si xhudiste, duke filluar që nga fillimet e saj dhe duke arritur në momentin e madh kur fitoi medaljen e artë olimpike në Rio në vitin 2016.

“Është kujtimi më i mirë i jetës time. Kjo foto më emocionon sa herë e shoh. Kështu që nuk dua ta shoh aq shpesh. Sot nuk po dua të qaj”, shprehet Kelmendi, derisa në fotot duket e përlotur bashkë me trajnerin e saj, Driton Kuka.

Kelmendi tregon se sa shumë e ka ëndërruar që një ditë të jetë kampione e botës, dhe këtë gjë e arriti vetëm duke punuar pa ndalur.

“Kur kam qenë 12 vjet e kam dhënë një intervistë për njërin prej televizioneve publike në Kosovë. Aty jam pas përgjigjur se kur të rritem do të bëhem kamione bote. Driton Kuka ka pasur ndikim të madh të unë dhe ka qenë i vetmi trajner i imi. Ai nuk më ka bërë thjesht një kampione të botës ose një kampione olimpike, por një heroinë të Kosovës”, tregon ajo, duke na njoftuar se me xhudon “ka rënë në dashuri” si tetëvjeçare.

Kelmendi, edhe në “Legjendat” nuk ka harruar ta falënderojë Kukën për sukseset që ka arritur nën drejtimin e tij.

“Ai më ka bërë heroinë. Çdo gjë që e kam e kam falë trajnerit. Ai qanë shumë kur fitojmë. Është i fortë, por qanë”, thotë ajo mes tjerash.

Në përfundim, ajo ka shprehur ambicien e saj të ardhshme, që përfshin rikthimin në majat e botës, por kësaj radhe si trajnere e xhudos. /KultPlus.com

Të ngjajshme