Këngëtarja turke vdes pas 288 ditëve grevë urie

4 Prill, 2020 - 7:36 pm

Pas 288 ditësh grevë urie, këngëtarja turke Helin Bolek ka ndërruar jetë, shkruan KultPlus.

28-vjeçarja e kishte nisur protestën e saj mbi nëntë muaj më parë me qëllimin për të denoncuar përndjekjen politike në Turqi dhe veton e qeverisë ndaj grupit të saj muzikor, “Grup Yorum”.

Lajmi është publikuar nga anëtarët e grupit përmes një njoftimi në rrjetin social Twitter.

Mësohet se një prej tyre, kitaristi Ibrahim Goreck, po vazhdon grevën e tij të urisë, e cila ka vazhduar që prej 291 ditësh.

Kohët e fundit, fotot e Helin Bolek të botuara nga mediat, gjatë ditëve të protestës tregojnë një trup të rënë komplet nga pesha, por që kanë ngjallur shumë reagime në Turqi.

Qëllimi i protestës së saj ishte sigurimi i lirisë për të gjithë të burgosurit politikë dhe dhënies fund të bastisjeve të qendrave kulturore.

“Ju po vrisni një grua vetëm 28-vjeçare, tha Goreck përmes një video, në të cilën duket shumë i dobësuar, kërkesat tona nuk ishin shumë të vështira për t’u plotësuar. Fashizmi i AKP-së (partia e Presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan) shkaktoi vdekjen e Helinit”.

Grupi “Grup Yorum” ka qenë aktiv që nga viti 1985, kur u themelua nga katër studentë të Universitetit Marmara. Ai gjithmonë ishte një grup në favor të kauzës kurde dhe betejave ndërkombëtare për drejtësi dhe liri, deri më tani grupi ka nxjerrë 25 albume dhe ka shitur mbi 2 milionë kopje.

Sidoqoftë, grupi nuk kishte interpretuar me vite me radhë, madje në vitin 2015, koncerti vjetor i grupit, i akuzuar se i përket një organizate terroriste, ishte ndaluar të mbahej nga autoritetet.

Më pas filluan bastisjet në qendrat kulturore ku ata performonin, ndërsa denonconin vazhdimisht shkatërrimin e instrumentave të tyre muzikore, si dhe arrestimin e pamotivuar të dhjetra personave.

Disa nga anëtarët e grupit, përfshirë Helin Bolek dhe Ibrahim Goreck, ishin burgosur. Në burg ata filluan grevën e tyre të urisë më 16 maj. Më të 11 mars, të dy ishin dërguar në spital kundër vullnetit të tyre, por avokati i tyre konfirmoi se ata nuk kishin pranuar ndonjë ndërhyrje mjekësore.

Dy anëtarë të tjerë të grupit, Bahar Kurt dhe Baris Yüksel, e kishin përfunduar grevën e tyre të urisë pas 190 ditësh. Helin e vazhdoi deri në fund. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme