Kërkohet të ndalohet gjuha e urrejtjes në media

6 Prill, 2021 - 7:40 pm

Komisioni i Pavarur i Mediave, Agjencia për Barazi Gjinore – Zyra e Kryeministrit dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore kanë udhëzuar ofruesit e shërbimeve mediale audiovizuele që të kenë kujdes gjatë transmetimit të përmbajtjeve programore ku mund të promovojnë gjuhën e urrejtjes sa i përket aspektit gjinor.

“Përqindja e lartë e grave të cilat jetojnë nën dhunë fizike, psikologjike dhe ekonomike, paraqet një problem strukturor i cili ndër të tjerash është çështje mendësie. Dhe kjo mendësi e cila e ka të normalizuar dhunën ndaj grupeve të ndjeshme shoqërore, sidomos grave, nuk duhet lejuar assesi nga asnjë televizion qoftë ai publik apo privat. Andaj, për ne është jashtëzakonisht shqetësues fakti që televizionet, në emër të lirisë së shprehjes, janë duke i kontribuar nxitjes së urrejtjes dhe normalizimit të dhunës përmes debateve televizive, duke dëmtuar kështu përpjekjet tona për barazi gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në veçanti dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi”, thuhet në një letër të hapur të tyre.

Përmbajtjet e tilla, janë të papranueshme e të dëmshme si dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, Konventën për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave, Konventën e Stambollit, Kodin Penal, Ligjin për Barazi Gjinore, Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe akte të tjera ligjore që garantojnë të drejtat e njeriut, thuhet tutje.

Gjuhën e urrejtjes, gjuhën vulgare dhe ofenduese e kanë cilësuar të patolerueshme dhe që dëmton drejtpërsëdrejti kauzat shoqërore, duke e ndikuar opinionin publik.

KPM, ABGJ dhe QKSGj kanë kërkuar reagim nga mediat, përndryshe kanë thënë se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për denoncimin dhe luftimin e praktikave të tilla./ KultPlus.com

Të ngjajshme