займ на карту онлайн потребительский кредит

Këtë vit ‘Newborn’ ngjyroset me të zezë, i kushtohet viktimave të abuzimit seksual

14 Shkurt, 2020 - 6:30 pm

Çdo 17 shkurt monumenti ‘NEWBORN’ tradicionalisht ia përçon një mesazh gjithë botës nga Kosova në Ditën e Pavarësisë së saj, duke e ndryshuar dukjen, e ndonjëherë edhe formën.

Natyra e mesazhit të përçuar duhet ta përfshijë medoemos Kosovën si pjesë të pandashme të rruzullit, duke prekur çështje që shqetësojnë si vendin tonë, ashtu edhe botën që bashkëndajmë.

Deri më tash ‘NEWBORN’ ka shprehur vizualisht mirënjohje botës për ndihmën e dhënë ndaj Kosovës për ta kapërcyer shtypjen, ka nxitur lirinë e shprehjes, ka bërë thirrje kundër izolimit dhe ndërtimit të mureve në vend të urave, si dhe e ka ngritur vetëdijesimin për çështje mjedisore dhe për ngrohjen globale.

Sivjet ‘NEWBORN’ synon ta prekë një çështje fort të ndjeshme dhe shpesh të lënë mbas dore: viktimat e përdhunimit gjatë konfliktit dhe gjithë mundin e tyre për t’i kapërcyer vuajtjen dhe poshtërimin e përjetuar.

Nuk ka pothuajse asnjë komb a shtet, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, që të mos jetë përballë me këtë çështje të paktën një herë. Sot që konfliktet përndizen nëpër vende të ndryshme, viktimat e tyre kryesisht femra vazhdimisht përdhunohen, ose pas konfliktit i vuajnë paragjykimet dhe vështirësitë e të pranuarit në shoqëri.

Vizualisht, këtë vit ‘NEWBORN’ do të ngjyroset kryesisht në të zezë, duke përfaqësuar shkatërrimin dhe zbrazëtinë që lë mbrapa secila luftë. Germa ë do të mbulohet me elemente shprese e lirie në forma të ndryshme lulesh, zogjsh e fluturash, që përfaqësojnë karakterin e brishtë, por megjithatë të rimëkëmbshëm të të gjitha viktimave që mbijetojnë dhe i jetësojnë përpjekjet së bashku, ndërsa format depërtojnë përtej W-së (War [Lufta], Women [Gratë], World [Bota]).

Shpërthimi i pozitivitetit dhe i shpresës do të shtrihet te germat e afërta E dhe B, duke u përhapur edhe nëpër germat e tjera për ta përfaqësuar të vërtetën e ngadaltë, por të pashmangshme se e mira do të ngadhënjejë.

Secila prej germave të zeza do të përmbajë edhe rrëfime të shkurta prekëse ose fjali të mbledhura nga viktima anembanë botës, në shqip e anglisht. Këto copëza janë botuar më parë, duke përshkruar përjetime të tmerrshme dhe kujtime të hidhëta. Ne kemi për qëllim t’i bëjmë njerëzit të vetëdijshëm për përvojat e tmerrshme nëpër të cilat u detyruan të kalonin këto viktima.

Gojarisht, NEWBORN shndërrohet në akronim (ose, më parë, në poezi akrostike), ku secila germë e nis një fjalë, duke e përpiluar këtë fjali, të shkruar në pjesët anësore të monumentit:
Never
Ending
Wars
Bring
Oppression,
Rape &
Neglect
(Luftërat e pafundme sjellin shtypje, përdhunime e shpërfillje)

Kushtuar të gjitha viktimave te abuzimit seksual gjatë konflikteve anembanë botës. / KultPlus.com

Të ngjajshme