Kisha e Manastirit të Rubikut, gati të hapë dyert këtë prag Krishtlindjesh

21 Dhjetor, 2021 - 9:24 pm

Kisha e Manastirit të Rubikut, është gati të hapë dyert këtë prag Krishtlindjesh, pas rikonstruksionit të saj nga programi “EU4Culture”.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë bëri të ditur sot se kjo kishë është e një rëndësie të veçantë për trashëgiminë e Shqipërisë.

“E keni vënë re Kishën e Manastirit të Rubikut. E vendosur mbi shkëmb me pamje nga lumi Fan? Pas rikonstruksionit të saj nga programi “EU4Culture”, kisha e një rëndësie të veçantë për trashëgiminë e Shqipërisë është gati të hapë dyert këtë prag Krishtlindjesh”, shprehet delegacioni i BE, duke publikuar edhe foto nga Kisha e rikonstruktuar e Manastirit të Rubikut.

Kisha e Manastirit të Rubikut, një monument françeskan, ndodhet mbi një kep shkëmbi me pamje nga lumi piktoresk Fan. Fillimisht u themelua në vitin 1166, si një nga katër Kuvendet Benediktine në rajonin e Mirditës.

Kisha është veçanërisht domethënëse, pasi forma e saj arkitekturore tregon kontekstin gjeohistorik të Shqipërisë, forma planimetrike e kishës dhe harqet e mbyllura në absidë janë të stilit tipik romanik, por stili i pikturës murale është qartësisht bizantin.

Nëpërmjet mbështetjes së programit “EU4Culture”, arkitektura dhe historia e rëndësishme e kishës dhe afresket e rralla do ta nxisin turizmin kombëtar dhe ndërkombëtar për ta shijuar këtë monument kulture./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme