23 Korrik, 2025 - 12:39 pm
Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot papa Klementin XI (1649-1721) me rastin e përvjetorit të 376- të të lindjes, duke e cilësuar atë si një simbol të urtësisë, besimit, kulturës dhe diplomacisë evropiane.
Papa Klementi XI lindi më 23 korrik 1649, në Urbino (Itali), në një familje fisnikësh me origjinë shqiptare nga Laçi i Kurbinit. Emri i pagëzimit ishte Xhovani Françesko Albani.
U emërua kardinal nga papa Inocenti XI në vitin 1690, dhe u zgjodh papë më 23 nëntor 1700, rreth dy muaj pas vdekjes së Inocentit XII. Papa Klementi luftoi kundër nepotizmit brenda Kishës Katolike. Gjatë viteve 1715–1718, ai mbështeti Republikën e Venedikut dhe perandorin Karl VI në luftën kundër Osmanëve.
Ideoi dhe mbështeti projektin Illyricum Sacrum, një vepër monumentale historike me qëllim dokumentimin tërësor të historisë kishtare të trevave ilire përfshirë Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit.
Gjatë pontifikatit të tij, nën drejtimin e kryeipeshkvit të Tivarit, Vinçenc Zmajeviq, u mblodh Kuvendi i Arbërit në vitin 1703, dhe procesverbali i tij u botua më 1706, në shqip dhe latinisht.
Ky dokument me vlerë të dyfishtë, shërben si burim historik i rëndësishëm për traditën kishtare shqiptare dhe si dëshmi e hershme e përpjekjeve për ruajtjen e gjuhës amtare, arsimimin dhe vetëdijen kombëtare.
Papa Klementi XI i ashtuquajturi papë Albani, krenohej vazhdimisht me origjinën e tij kur pohonte se “me gjak ishte shqiptar”. Ai u nda nga jeta më 19 mars 1721, në Romë./atsh/KultPlus.com